110-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë do të bëjë bashkë 260 deputetët e Shqipërisë dhe Kosovës në Tiranë, shkruan EuroNews Albania, përcjell Fol Drejt,
Për herë të parë ligjvënësit e dy paralamenteve do të takohen më 27 nëntor në sallën e seancave plenare.
Euronews Albania ka mësuar se takimi pritet të zgjasë rreth 2 orë dhe gjithçka do të përfundojë pasditen e së dielës.
Si mikpritëse, në cilësinë e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla do të hapë seancën plenare me një fjalë përshëndetëse dhe më pas do të flasë homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufca.
Pas dy kryeparlamentarëve, do të jenë kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Albin Kurti, ata që do të thonë fjalën e tyre para deputetëve.
Grupet e punës të ngritura nga të dy Parlamentet po i japin pikat e fundit detajeve, ku mendohet se fjalën do ta thonë edhe krerët e grupeve parlamentare. Në këtë takim nuk pritet të nënshkruhet asnjë marrëveshje mes dy vendeve. /EuroNews Albania/