Nga tetori kështu do të duket një orë mësimi online.
Në konferencën e sotme Kryeministri Zoran Zaev dhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencës duke prezantuar platformën për mësimin online, treguan se si do të duket një orë e mësimit përmes kompjuterit.
Nxënësit përmes kompjuterëve ose telefonit do të mund të shikojnë klasën dhe mësuesin dhe do mund të përdorin të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë. Do të ketë kuize të shpejta, teste dhe përmbajtje të tjera inovative.
“Pandemia imponoi nevojën për të parë pse na duhet një sistem arsimor në gjendje të mirë dhe se duhet të punojmë me zell për digjitalizimin, reformimin dhe përmirësimin e tij. Për herë të parë, kemi krijuar një platformë unike kombëtare për mësimin në internet, të cilën e kemi krijuar ekskluzivisht me burime të brendshme dhe ekspertë. Kjo na inkurajon dhe jep shtysë për përmirësimin dhe përshtatjen e saj me nevojat e secilit nxënës në vendin tonë,- Zoran Zaev, kryeministër.
Ministrja e Arsimit Milla Carovska shprehu besim se do të sigurojë një ekuilibër të mirë midis ofrimit të arsimit të mirë dhe mbrojtjes së shëndetit publik.
“Platforma është hapi i parë drejt modernizimit të arsimit. Një mjet i ri, i cili jam e bindur se do të jetë një burim i rëndësishëm edhe pas tejkalimit të krizës së koronavirusit. Periudha që vijon nuk do të jetë e lehtë për mësuesit, prindërit ose nxënësit. Ndryshimet janë gjithmonë të vështira dhe rregullimi kërkon sakrificë të madhe nga të gjithë ne”,- Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Trajnimet për përdorim në nivelin e parë të mësimit online kanë përfshirë 30 trajnerë. Në nivelin e dytë janë 1.600 mësues të emëruar për trajnerë shkollorë dhe ata do të duhet të trajnojnë më tej të gjithë mësuesit në nivelin e shkollave individuale.
Ndryshe Platformën nacionale për mësim online e ka krijuar MASH bashkë me Fakultetin për inxhinieri informatike dhe teknologji kompjuterike.