Zjarrfikësi Behar Shala ishte helmuar rëndë nga tymi gjatë një intervenimi në Lagjen Dardania në Prishtinë, vitin e kaluar.
Për pasojë, i është dashur të trajtohet për disa javë – kryesisht në klinika private, thotë ai.
“Më është dashur të marr pushim të detyrueshëm mjekësor, dy javë ditë. Të gjitha trajtimet gjatë shërimit i kam paguar vetë – rreth 300 euro. Kam pasur helmim në mushkri. Krejt kohën më është dashur të trajtohem për mushkri”, rrëfen Shala për Radion Evropa e Lirë, përcjell FolDrejt.com.
Ai është 41 vjeç dhe profesionin e zjarrfikësit e ushtron tash e 20 vjet. Gjatë kësaj periudhe thotë se ka pësuar edhe lëndime të tjera.
Përvoja të ngjashme me Shalën kanë pasur edhe shumë kolegë të tij, thotë komandanti i zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Latif Zeka.
“Për fat të mirë, nuk kemi pasur zjarrfikës të vdekur, por lëndime ka pasur shumë shpesh. Çdo lëndim apo shërim i lëndimeve është paguar nga xhepat e zjarrfikësve”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë janë gjithsej rreth 800 zjarrfikës – që të gjithë pa sigurime shëndetësore nga shteti.
Pagat e tyre variojnë prej 280 deri në rreth 330 euro.
Njëjtë si zjarrfikësit, pa sigurime shëndetësore janë edhe mbi 9 mijë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Ligji për sigurime shëndetësore është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014, por, në fakt, nuk është zbatuar asnjëherë për askënd.
Kreu i Federatës së Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se ligji në fjalë është miratuar “pa u kalkuluar mirë”.
“Nuk e kemi një sistem informativ, i cili kërkon kohë jashtëzakonisht të madhe, nuk e kemi një ligj të protokolleve, një ligj të sëmundjeve etj.”, ka thënë Syla.
Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë se deri ku kanë arritur procedurat për nisjen e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Së voni, sindikalistët e Policisë së Kosovës janë takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, me të cilin kanë diskutuar për Ligjin e pagave, Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se presin që gjatë vitit të ardhshëm të ketë lëvizje pozitive për realizimin e sigurimeve shëndetësore.
“Ne kemi një formë që të bëjmë kontratë me një kompani të sigurimeve dhe ne si policë të paguajmë një pjesë dhe pjesën tjetër do ta kërkojmë nga Qeveria… nëse ai ligj stërzgjatet, sikur është folur që sa vite deri tash. Ne dëshirojmë të startojmë në këtë formë dhe nëse bëhet ligji aq më mirë”, thotë Zeqiri.
Përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe të Byrosë Kosovare të Sigurimit janë takuar disa herë për çështjen e sigurimeve shëndetësore, qysh në vitin 2018.
Drejtori ekzekutiv i kësaj byroje, Sami Mazreku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës do të mund ta zgjidhte me rreth 4 milionë euro çështjen e sigurimeve shëndetësore për Policinë e Kosovës.
“Kam propozuar që Qeveria të ndajë një fond vjetor për Policinë e Kosovës dhe, pastaj, Ministria e Punëve të Brendshme t’i zhvillojë procedurat, që derisa të hyjë në fuqi Ligji për sigurimet shëndetësore, Policia e Kosovës të ketë sigurim shëndetësor dhe jetësor”.
“Nuk është një kosto e lartë, rreth 4-5 milionë euro në vit, duke përfshirë dy policat e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për rreth 9 mijë policë sa janë në Kosovë”, thotë drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit – agjenci e cila mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.
Policia e Kosovës, që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në mars të vitit 2020, është kujdesur për zbatimin e masave kundër përhapjes së sëmundjes.
Në Kosovë kanë vdekur 25 policë nga COVID-19.
Paga bazë e një polici kosovar është 392 euro.
Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), organizatë kjo që monitoron punën e policisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë në Kosovë, thotë se policët dhe zjarrfikësit duhet të trajtohen me prioritet nga Qeveria, për shkak të rrezikshmërisë dhe ndjeshmërisë së punës.
“Është për keqardhje që deri tash nuk është bërë asgjë nga asnjë qeveri, por as nga kjo aktuale… Qeveria, nga viti i ardhshëm, duhet ta mendojë më me prioritet këtë çështje dhe të gjenden modalitetet më të mira për sigurime shëndetësore dhe jetësore të policëve”, thotë Avdiu.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kur pritet të realizohen sigurimet shëndetësore.
Në plan-programin e Qeverisë aktuale të Kosovës thuhet se “një nga prioritetet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor është ndryshimi i Ligjit për sigurim shëndetësor dhe fuqizimi i kapaciteteve administrative njerëzore dhe infrastrukturore në Fondin për Sigurime Shëndetësore, si kushte për fillimin e grumbullimit të kontributeve”.
Saga e sigurimeve shëndetësore
Kosova nuk ka sigurime shëndetësore, ndonëse në vitin 2007 është miratuar ligji për këtë çështje, porse asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi shefi i atëhershëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk e ka nënshkruar atë ligj.
Pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, kanë qenë vetë qeveritë e Kosovës ato që e kanë tërhequr ligjin, për shkak të implikimeve buxhetore.
Kuvendi i Kosovës ka arritur ta miratojë Ligjin e ri për sigurime shëndetësore në vitin 2014, mirëpo as ky ligj nuk ka gjetur zbatim.
Zbatimit të tij është thënë se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh për mbledhjen e fondeve.
Mbledhja e tyre do të niste nga 1 korriku i vitit 2017. Atë kohë, Qeveria e Kosovës ka ndarë 17 milionë euro, por, më pas, këto mjete janë tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.
Disa qytetarë të Kosovës janë të siguruar përmes kompanive private, të cilat ofrojnë sigurime shëndetësore.