Në tregun e Kosovës nuk ka krijim të vendeve të reja të punës, por vetëm lidhje kontratash me punëtorët që nuk i kanë pasur ato, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve (BSPK) dhe profesorë të ekonomisë.
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila më 22 mars ka shënuar vitin e parë në pushtet, ka thënë se në periudhën shtator 2020 – shtator 2021 “janë regjistruar mbi 25 mijë vende të reja pune”.
Të dhënat e saj, në njëfarë mënyre, mbështeten edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës, sipas së cilës, numri i të punësuarve në sektorin privat gjatë gjithë vitit 2021 është rritur në mbi 286 mijë – nga mbi 255 mijë sa ka qenë vitin paraprak.
Por, kryetari i BSPK-së, Jusuf Azemi, këmbëngul se këto shifra nuk janë reale. Sipas tij, ekziston vetëm mundësia që disa biznese t’iu kenë dhënë kontrata punëtorëve që nuk i kanë pasur ato, për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike nga COVID-19.
“Nuk e besoj se janë krijuar 25 mijë vende pune, sepse, në të njëjtën kohë, kanë mundur të largohen nga puna 30 mijë punëtorë të tjerë. Kjo është shqetësuese për ne. Pastaj, një numër i punëtorëve kanë qenë duke punuar [pa kontrata] dhe bizneset i kanë futur në sistem të pagave, për shkak se Qeveria e Kosovës i ka stimuluar ato që t’i formalizojnë punëtorët”, thotë Azemi.
Pakoja – me vlerë prej 420 milionë eurosh – është ndarë nga Qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2021, për t’i ndihmuar bizneset të adresojnë humbjet e pësuara nga pandemia.
Në kuadër të kësaj pakoje, Qeveria e Kosovës ka ndarë në muajin gusht 15 milionë euro për rikthim në punë të punëtorëve që kanë humbur vendin e punës gjatë COVID-19, për të mbështetur të punësuarit e formalizuar, sikurse edhe punësimin e grave.
Me këtë pako, punëdhënësi ka përfituar mbështetje prej 10 për qind të pagës së punëtorit deri në qershor të vitit 2022, ndërsa punëtori ka përfituar mbështetje prej 50 eurosh për tre muaj radhazi
Kryeministri Kurti, ka thënë se vetëm nga aplikimet e bëra për përfitime nga Pakoja e Ringjalljes, del që numri i punëtorëve të formalizuar, apo të regjistruar, ka arritur në 10 mijë.
“Prej shtatorit të vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021 janë 25,200 më shumë vende pune të regjistruara – prej të cilave, mbi 10 mijë janë rezultat i Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, ka thënë Kurti.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, bizneset kanë hapur vende të reja të punës, por një numër të konsiderueshëm të tyre e përbëjnë punëtorët që kanë qenë duke punuar, e që kontratat i kanë marrë rishtas.
Rukiqi nuk jep ndonjë vlerësim se sa punëtorë të rinj mund të jenë punësuar gjatë vitit 2021.