Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi Ministria e Financave i është drejtuar sindikalistëve protestues se nuk do të ketë paga qoftë edhe për një orë protestë.
Ai iu drejtua kryeministrit Albin Kurti se fajin, sipas tij, duhet ta kërkojë te vetja e tij e jo të punëtorët, pasi siç tha ai ka më shumë se një vit e gjysmë që ai tallet me ta, “për të mos thënë se po i vjedhë ata”, shkroi Haradinaj.
“Punëtorët janë në të drejtën e tyre dhe grevat janë mjeti i vetëm që u ka mbetur në dorë, sepse kriza ekonomike e sociale ju ka mbërritur në asht. Ju kryeni punën tuaj. Miratojeni me urgjencë Ligjin e Pagave dhe reflektoni ndryshimet që kanë ndodhur”, ka shkruar Haradinaj, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se ligji duhet të reflektojë rritjen enorme të çmimeve dhe inflacionin, që sipas tij, zyrtarisht ka mbërritur në 19.2 për qind.
“Çdo formulë tjetër do t’u kthehet në bumerang. Është sosur durimi!!!”, tha Haradinaj.