Fluturimet nga aeroporti “Charles de Gaulle” në Paris dhe aeroportet e tjera franceze po përballen me pengesa për shkak se punëtorët janë ngritur në grevë dhe protesta duke kërkuar rritje të pagës ndërsa vendi është përfshirë nga nivele rekorde të inflacionit.
Greva e punëtorëve është problemi i fundit që ka goditur aeroportet në mbarë botën këtë verë, pas rinisjes së fluturimeve pas kufizimeve dy vjeçare të shkaktuara nga COVID-19, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Aeroportet franceze në masë të madhe janë kursyer nga kaosi i parë së fundmi në Londër, Amsterdam dhe disa qytete të tjera evropiane dhe amerikane. Por, sot punëtorët me grevën e tyre u përpoqën të tërheqin vëmendjen ndaj vështirësive të shkaktuara nga inflacionit duke dalë në ditën e parë të sezonit të udhëtimit veror të brendshëm të Francës.
Autoriteti i aviacionit civil të Francës njoftoi se 17 për qind e fluturimeve të planifikuara nga aeroportet “Charles de Gaulle” dhe “Orly” në Paris u anuluan midis orës 07:00 të mëngjesit dhe 14:00 të premten, kryesisht në linja me distanca të shkurtra.
Protestat ishin planifikuar në të dy aeroportet ndërsa autoritetet e aeroporteve të Parisit paralajmëruan për vonesa të mundshme në hyrjen në terminale dhe në pikat e kontrollit të pasaportave dhe të sigurisë.
Sindikatat thanë se greva mund të zgjasë deri të dielën.
Punonjësit e aeroporteve të Parisit kërkojnë rritje prej 6 për qind në mënyrë retroaktive deri më 1 janar ndërsa menaxhmenti ka propozuar rritje prej 3 për qind, sipas raporteve të mediave franceze. Në grevë janë ngritur edhe zjarrfikësit e aeroportit “Charles de Gaulle”, duke detyruar aeroportin të mbyllë disa pista./FolDrejt/