Dhjetëra fluturime u anuluan në aeroportin kryesor ‘Roissy-Charles de Gaulle’ të Parisit dhe pasagjerët u përballën me një sërë problemesh, përfshirë bagazhe të humbura dhe radhë të gjata
Kaos ka mbretëruar në aeroportet e Parisit pasi punonjësit vazhduan protestën e tyre për paga më të lartë për të tretën ditë radhazi, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dhjetëra fluturime u anuluan në aeroportin kryesor ‘Roissy-Charles de Gaulle’ të Parisit dhe pasagjerët u përballën me një sërë problemesh, përfshirë bagazhe të humbura dhe radhë të gjata.
Sipas një raporti nga e përditshmja ‘Liberation’, një në pesë fluturime u anuluan nga ora 5 e mëngjesit të sotëm deri në mesditë.
Autoritetet e aeroportit të Parisit, përfshirë personelin me kontratë dhe atë të përkohshëm, si dhe zjarrfikësit në ‘Charles de Gaulle’, kanë qenë në grevë që nga e enjtja.
Ata kanë paralajmëruar një tjetër grevë nga 8 deri më 19 korrik, fundjavën që shënon fillimin e pushimeve verore, për të kryer presion për përmbushjen e kërkesave të tyre.
Punonjësit po kërkojnë një rritje prej 6 për qind në mënyrë retroaktive deri më 1 janar dhe rekrutim urgjent për të vazhduar me rritjen e kërkesës për udhëtime.
‘France24’ raportoi se Daniel Bertone, një përfaqësues i sindikatës ‘CGT’, tha se oferta e operatorit të aeroportit ‘ADP’ për një rritje prej 4 për qind me efekt nga 1 korriku është refuzuar.
Punonjësit akuzojnë menaxhmentin se ka mbyllur një sy ndaj nevojës për më shumë njerëz, duke detyruar stafin ekzistues të punojë me turne më të gjata pa asnjë pagesë shtesë.
Zyrtarët e sindikatës thanë se trafiku dhe fitimet e aeroportit janë rritur në nivelin e para pandemisë COVID-19, por punonjësit nuk kanë marrë asnjë rritje pagash që nga viti 2019.
Kriza në Paris ka prekur edhe trafikun ajror në Nice, një qendër turistike në Francën jugore.
Kanali i lajmeve ‘France 3’ raportoi se rreth 20 fluturime midis qyteteve Paris dhe Nice u anuluan vetëm sot.
Përveç anulimeve dhe vonesave, mungesat e mëdha të personelit kanë çuar në kohë të stërzgjatur për regjistrimet dhe humbje të bagazheve.
Dje, raportoi ‘BFMTV’, sistemi i bagazheve në ‘Charles de Gaulle’ u bllokua për shkak të një problemi teknik, duke lënë mijëra pasagjerë pa bagazhet e tyre./FolDrejt/