Punonjësit e gjykatave në Spanjë nisën një grevë pa afat pasi kërkesat e tyre për rritje pagash nuk u plotësuan.
Pas më shumë se një muaji negociata, sindikatat ku janë pjesë nëpunësit e gjykatave vendosën të hyjnë grevë për shkak të mosarritjes së një marrëveshjeje, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Rreth 45 mijë punonjës të gjykatave në gjithë vendin kanë lënë punën që nga dita e sotme për të ushtruar presion ndaj qeverisë së koalicionit të majtë.
Shumë raste gjyqësore janë shtyrë për shkak të grevave të deritanishme nga punonjësit dhe më parë nga gjyqtarët dhe prokurorët në intervale të caktuara.
Sipas sindikatave, seancat e rreth 500 mijë rasteve janë shtyrë për shkak të grevave të deritanishme, ndërsa mbi 30 milionë procese gjyqësore janë vonuar.
Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët arritën një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë javën e kaluar, hoqën dorë nga një grevë me afat të pacaktuar në këmbim të një rritjeje mujore bruto prej 450 eurosh, si dhe përmirësimit të kushteve të punës.
Në vazhdën e inflacionit të lartë që ka goditur Spanjën dy vitet e fundit, punonjësit e gjykatave, të cilët ende nuk kanë rënë dakord për kërkesat e tyre për rritjen e pagave, njoftuan se do të zhvillojnë demonstrata në vende të ndryshme gjatë javës në kuadër të grevës së filluar.
Nëpunësit e mbledhur sot para Ministrisë së Drejtësisë në kryeqytetin Madrid njoftuan se nesër do të zhvillojnë protestë para ndërtesës së parlamentit./FolDrejt/