Punëtorët e kompanisë hekurudhore Renfe në Spanjë kanë hyrë në grevë me arsyetimin se nuk janë plotësuar kërkesat e tyre për rritje pagash.
Sindikatat, në të cilat janë anëtarë punëtorët e Renfe-s, vendosën të lënë punën për dy ditë në datat 7 dhe 13 nëntor, me pretendimin se rritja e pagave në marrëveshjet kolektive nuk është bërë sipas normës së inflacionit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në shumë stacione treni në Spanjë u formuan radhë të gjata për shkak të grevës që përfshin rreth 14.000 punëtorë të hekurudhave.
Ministria e Transportit njoftoi se brenda ditës është i garantuar shërbimi minimal prej 50 për qind në shërbimet periferike, 72 për qind në trenat me shpejtësi të lartë dhe 25 për qind në trenat e mallrave.
Sindikatat kërkojnë gjithashtu që personeli që punon me kontrata të përkohshme në 2022 të transferohet në kontrata të pacaktuara në 2023.
Norma e inflacionit në Spanjë, e cila arriti dyshifrore tri herë në vitin 2022, pritet të jetë 8,7 për qind në fund të vitit./FolDrejt/