Rritje rrogash ose marrëveshje kolektive, në të kundërt punonjësit e Ministrisë së Kulturës do të fillojnë një grevë të përgjithshme.
Afati që sindikata i ka dhënë Ministrisë së Kulturës për zgjidhjen e problemit është fundi i kësaj jave.
Ndërkohë që institucioni po “zien” nga pakënaqësitë prej disa kohësh. Refuzimi i një muaji më parë i Ministrisë së Financave për rritjen e pagave dhe niveli i ulët i pagave që ka pjesa dërrmuese e punonjësve të këtij institucioni, sidomos po të krahasohen me institucionet e tjera që janë në varësi të Ministrisë së Kulturës janë arsyet që sindikata pranë Ministrisë së Kulturës të përshkallëzojë kërkesat.
Ndërsa nga Ministria e Kulturës ende nuk ka ndonjë koment, përveç sqarimit se janë ende në negociata me përfaqësuesit e sindikatës për të tejkaluar problemin.
Sipas sindikalistit Branko Kostovskit, problemi është se 80 përqind e të punësuarve në Ministrinë e Kulturës marrin pagë nën mesataren, ndonëse janë në vijën e parë të fronit për zgjidhjen e çdo problemi.
“Punonjësit janë të pakënaqur për shkak të krizës ekonomike, standardit dhe rrogave, të cilat janë të vetmet që nuk u rritën administratën publike dhe ministritë. Gjatë kësaj jave do të dimë nëse do të zgjidhim në mënyrë paqësore atë që kërkojmë dhe nëse si sindikatë do të lidhim një marrëveshje kolektive në të cilën do të rregullohen pagat e punonjësve apo do të hyjmë në grevë të përgjithshme, që është masa më fatkeqe edhe për ne”, thotë Kostovski, kryetar i Sindikatës së Ministrisë së Kulturës.
Ndërsa pakënaqësitë janë shtuar sidomos pasi së fundmi punonjësit kanë marrë përgjigje negative ndaj kërkesës së tyre, nga Ministria e Financave, me arsyetimin se bëhet fjalë për krizë ekonomike.
Por nga ana tjetër punonjësve të saj Ministria e Financave i ka siguruar rritje e përhershme prej 30 për qind e pagës bazë, që do të zbatohet nga viti i ardhshëm.
“Ne nuk jemi kundër, por duam të marrim edhe atë që meritojmë. Të gjithë jemi të prekur, 80 përqind e punonjësve paguhen nën mesataren dhe punojnë në vijën e parë të çdo problemi. Tani ata janë të përfshirë edhe në negociatat e anëtarësimit me BE-në, ndaj ne besojmë se njohuritë dhe përpjekjet që kemi duhet të valorizohen. Duhet të gjejmë një mënyrë për të motivuar punonjësit”, shton Kostovski./koha.mk/