Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se drithi i dërguar nga Ukraina në vend që të shkojë në vendet e varfra po shkon në vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Nëpërmjet video-konferencës Putin foli në një mbledhje që zhvilloi me autoritetet për sektorin bujqësor të Rusisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai tha se Rusia ka korrur 138 milionë tonë drithë këtë vit. “Pritet që korrjet deri në fund të vitit të arrijnë në 150 milionë tonë. Kjo do të jetë një nivel rekord në historinë e Rusisë. Në këtë mënyrë në situatën aktuale të vështirë ne do të përballojmë plotësisht nevojat tona dhe do të sigurojmë burim shtesë për të rritur eksportet”, tha Putin.
Presidenti rus tërhoqi vëmendjen se vazhdojnë vështirësitë lidhur me dërgesat e plehut dhe drithit rus. “Sanksionet kundër Rusisë, krijojnë kërcënim për thellimin e krizës globale ushqimore të përjetuar prej disa vitesh. Situatën aktuale po e përjetojmë për shkak të politikave financiare dhe ushqimore të disa vendeve kryesore dhe e gjithë përgjegjësia e kësaj i përket Perëndimit”, tha Putin.
Ai theksoi se dërgesat e drithit të kryera nga Ukraina nuk kanë shkuar në vendet e varfra.
“Nga 203 anijet e nisura nga portet e Ukrainës që nga 23 shtatori, vetëm 4 prej tyre kanë vajtur në vendet e varfra. Nga 46 anijet e nisura nga e hëna deri në premten e javës së kaluar, 14 prej tyre kanë shkuar në vendin ndërmjetës Türkiye ndërsa 25 anija nga 32 anijet e tjera të mbetura kanë shkuar në BE”, tha Putin duke shtuar:
“Këto janë vendet më të varfra?. Kjo është e gjitha një mashtrim. Perëndimi po nxit krizën globale ushqimore. Në këto kushte, ne duhet të garantojmë sigurinë tonë ushqimore dhe duhet të reduktojmë varësinë nga burimet e importuara, përfshirë pajisjet, makineritë dhe farat”./FolDrejt/