Gjatë vizitës në një fabrikë armësh në Alabama, armë të cilat aktualisht po përdorin ushtarët ukrainas, presidenti amerikan Biden e cilësoi homologun e tij rus Putin si një diktator me një ushtri të çmendur, sipas euronews.
Biden po ushtron presion në Kongresin amerikan që të miratojë një paketë ndihmash për Ukrainën, prej 33 miliard dollarësh. Pa kursyer akuzat ndaj rusëve, kreu i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi punëtorët e fabrikës, duke i thënë se po bënin të mundur që ukrainasit të mbroheshin.
Ukrainasit të cilët sipas tij në shumë raste po tallen me ushtarët rusë. Biden theksoi se nëse nuk shfaqet rezistencë ndaj diktarorëve , historia na mëson se do të vijnë të tjerë dhe uria e tyre për pushtet do të rritet vazhdimisht.
Nga ana e tij Vladimir Putin akuzoi perëndimin se është përgjegjës i përshkallizimit të konfliktit për shkak të furnizimit me armë të Ukrainës. Presidenti rus i bëri apel vendeve perëndimore që të ndërpresin furnizimin me armë, por dhe të ushtrojnë atë që Kremlini e cilëson si një “ndikim të denjë” ndaj Kievit, për t’i dhënë fund luftës.