Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kancelari gjerman Olaf Scholz përmes një bisede telefonike diskutuan për situatën në Ukrainë.
Në një deklaratë me shkrim nga pallati i Kremlinit thuhet se Putin zhvilloi bisedë telefonike me kancelarin Scholz. Në bisedën ku u diskutua situata në Ukrainë, Putin shprehu qasjet bazë lidhur me veprimet e Rusisë në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në bisedë vëmendja u tërhoq mbi vijën shkatërruese të vendeve perëndimore përfshirë Gjermaninë të cilët pajisin me armë qeverinë e Kievit dhe trajnojnë ushtarët ukrainas ndërsa u theksua se të gjitha këto dhe mbështetja në aspektin politik, financiar ndaj Ukrainës shkaktojnë që Kievi të refuzojë idenë e negociatave.
Putin i bëri thirrje palës gjermane që të rishikojë qasjen e saj në aspektin e ngjarjeve në Ukrainë.
Gjatë bisedës, Putin dhe Scholz trajtuan edhe sulmet raketore të ushtrisë ruse në Ukrainë dhe u theksua se Forcat e Armatosura të Rusisë shmangën për një kohë të gjatë sulmet me raketa ndaj objektivave të caktuara në territorin e Ukrainës por që masa të tilla tani janë të nevojshme dhe të pashmangshme kundër sulmeve provokuese të Kievit ndaj infrastrukturës civile të Rusisë, përfshirë urën e Krimesë dhe objektet energjetike.
Ata diskutuan edhe mbi shpërthimin në linjën e tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Veriore” për të cilën u vendos theksi se “është e nevojshme që në procesin lidhur me sulmin terrorist të marrin pjesë zyrtarët rusë dhe se ky proces duhet të zhvillohet “në mënyrë transparente”.
Në bisedë u diskutua edhe marrëveshja për dërgimin e drithërave e cila u nënshkrua më 22 korrik mes Türkiye-s, Ukrainës, Rusisë dhe Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe u nënvizua se është e nevojshme që marrëveshja në fjalë të zbatohet plotësisht dhe që të hiqen pengesat kundër dërgesave ruse.
Gjermania thirrje Rusisë “të gjejë zgjidhje diplomatike për problemin e Ukrainës”
Në deklaratën nga kryeministria gjermane thuhet se Scholz në bisedën telefonike me Putinin ka dënuar sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë dhe ka vënë theksin për vendosmërinë e Gjermanisë për të mbështetur Ukrainën që të sigurojë aftësinë e mbrojtjes kundër agresivitetit rus.
Në bisedë, Scholz i bëri thirrje Putinit “të gjejë zgjidhje diplomatike në kohën më të shkurtër të mundshme, përfshirë edhe tërheqjen e ushtarëve rusë”.
Dy liderët po ashtu trajtuan situatën globale ushqimore e cila është e trazuar kryesisht për shkak të luftës si dhe vendosën theksin mbi rëndësinë e marrëveshjes së drithit të zgjatur pak kohë më parë nën kujdesin e OKB-së.
Scholz dhe Putin ranë dakord për të qëndruar në kontakt./FolDrejt/