Forcat ruse mund të përpiqen të rigrupohen për të rikthyer disa nga territoret që humbën në Ukrainë pasi u mundën në pjesën lindore të vendit javën e kaluar, sipas një raporti të inteligjencës të publikuar të shtunën.
“Rusia ka të ngjarë të përpiqet të kryejë një mbrojtje kokëfortë të kësaj zone, por është e paqartë nëse forcat e vijës së parë ruse kanë rezerva të mjaftueshme ose moral të mjaftueshëm për t’i bërë ballë një sulmi tjetër të bashkërenduar ukrainas”, thuhet në përditësimin e fundit të inteligjencës nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, shkruan NYP, transmeton Fol Drejt.
Forcat ukrainase vazhduan me ofensivën e tyre në verilindje të vendit, ku javën e kaluar ata pushtuan pjesën më të madhe të rajonit të Kharkiv, duke përfshirë qytetin e Izium, i cili kishte qenë një qendër e rëndësishme furnizimit rus.
Nga ana e tyre, trupat ruse kanë krijuar një linjë mbrojtëse midis lumit Oskil dhe qytetit Svatove – një rrugë kyçe e furnizimit që shtrihet nga rajoni Belgorod i Rusisë.
“Operacioni ynë sulmues në Donbas nuk po ndalet”, tha presidenti rus Vladimir Putin në një samit në Uzbekistan. “Ata po ecin përpara – jo me një ritëm shumë të shpejtë – por gradualisht po marrin gjithnjë e më shumë territor” – tha ai, duke iu kundërpërgjigjur pretendimeve ukrainase./FolDrejt/