Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka bërë të ditur se ai u ofroi mercenarëve të grupit “Wagner” mundësinë për të vazhduar luftën për ushtrinë në një takim vetëm disa ditë pas tentativës së kryengritjes së tyre, por shefi i grupit, Yevgeny Prigozhin, ka refuzuar ofertën e tij, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Të gjithë ata mund të mblidheshin në një vend dhe të vazhdonin të shërbenin. Dhe asnjë nuk do të kishte ndryshuar për ta. Ata do të udhëhiqen nga i njëjti person (Prigozhin), i cili ishte komandanti i tyre i vërtet gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Putin për të përditshmen ruse “Kommersant”.
Presidenti rus tha se “shumë njerëz tundën kokën” kur dëgjuan ofertën e tij në takimin e Kremlinit më 29 qershor. “Por, Prigozhin, i cili ishte ulur para tyre dhe nuk e pa këtë, tha, pasi dëgjoi, jo djemtë nuk pajtohen me këtë vendim”, shtoi Putin.
I pyetur se çfarë ndodhi në të vërtetë më 24 qershor, kur Prigozhin njoftoi synimin e tij për të përmbysur krerët ushtarakë të Rusisë, Putin tha se “luftëtarët e rangut të lartë të grupit u tërhoqën në këto ngjarje”.
“Nga njëra anë, në një takim me ta, kam dhënë vlerësim për atë që kanë bërë në fushën e betejës dhe nga ana tjetër, çfarë kanë bërë gjatë ngjarjeve të 24 qershorit. Së treti, tregova opsionet e mundshme për shërbime të mëtejshme, përfshirë në zonën e luftës. Kjo është e gjitha”, tha Putin.
Ai shtoi se sa i përket grupit, nuk ka një person juridik të tillë si kompania ushtarake private “Wagner” dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për krijimin e tij. “Grupi ekziston, por ligjërisht nuk ekziston. Kjo është çështje në vete që lidhet me legalizimin real. Por, kjo është një çështje që duhet diskutuar në Dumën e Shtetit, në qeveri. Një çështje e vështirë”, tha Putin.
Më 24 qershor, Prigozhin akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë për sulm ndaj luftëtarëve të grupit, shpalli një “Marshim të drejtësisë” dhe u nis drejt Moskës. Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e cilësoi veprimin e grupit si “rebelim të armatosur” dhe hapi një çështje penale kundër Prigozhinit ndërsa Putini kryengritjen e kompanisë private ushtarake e quajti “akt të tradhtisë”.
Prigozhin më vonë u kthye prapa për të “shmangur gjakderdhjen” dhe që atëherë është zhvendosur në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko. Presidenti bjellorus javën e kaluar tha se shefi i grupit nuk është në Bjellorusi, por në Shën Petersburg të Rusisë. Vendndodhja aktuale e tij nuk dihet.