Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se vendi i tij dhe Koreja e Veriut kanë mundësi për të zhvilluar bashkëpunimin ushtarak, pavarësisht sanksioneve të OKB-së, shkruan AA.
Duke folur për kanalin televiziv shtetëror “Rossiya-1”, Putin tha se Moska respekton sanksionet e OKB-së për bashkëpunimin ushtarako-teknik me Phenianin, “por ka mundësi brenda rregullave”.
“Ka disa kufizime. Rusia i respekton të gjitha këto kufizime. Por ka gjëra për të cilat mund të flasim. Dhe këtu, gjithashtu, ka perspektiva. Sipas rregullave aktuale, kemi gjithashtu mundësi, të cilat i shohim dhe i diskutojmë”, tha ai, duke komentuar rezultatin e bisedimeve të tij me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, i cili mbërriti në Rusi për një vizitë dyditore të martën me trenin e tij special të blinduar.
Putin tha se takimi i tij me Kimin ishte “produktiv”, duke e përshkruar atë si “një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh” mbi situatën në rajon dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenti rus tha se Kim do të ketë gjithashtu një takim për çështjet ushtarake, do të vizitojë Universitetin Federal të Lindjes së Largët, si dhe Akademinë Ruse të Shkencave në qytetin Vladivostok.
Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov, në një deklaratë të veçantë, tha se Rusia nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Koresë së Veriut.
Lavrov tha se ai nuk i kushton vëmendje raportimeve që pretendojnë se Pheniani po furnizon me armë dhe pajisje ushtarake Moskën. Ai shtoi se Perëndimi, duke i dorëzuar Ukrainës armë sovjetike dhe ruse, ka shkelur detyrimet e kontratave të cilat obligojnë marrjen e pëlqimit të shitësit përpara çdo transaksioni, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.