Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia do të zgjerojë tregtinë me partnerë të rinj, duke përfshirë kalimin e flukseve të gazit tek fqinjët lindorë, shkruan Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Në një fjalim televiziv, Putin tha se Rusia do të zhvillojë marrëdhëniet e saj ekonomike me partnerët në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine për të izoluar ekonomikisht vendet perëndimore.
“Ne do të heqim kufizimet në logjistikë dhe financa. Më lejoni t’ju kujtoj se duke vendosur sanksione, vendet perëndimore po përpiqeshin ta shtynin Rusinë në periferi të zhvillimit botëror. Por ne kurrë nuk do të marrim rrugën e izolimit”, tha ai.
“Përkundrazi, ne po zgjerojmë dhe do ta zgjerojmë bashkëpunimin me të gjithë ata që kanë interes për këtë”.
Putin tha se do të rriste shitjet e gazit në lindje dhe përsëriti planin e tij për të ndërtuar një “qendër të re gazi” në Turqi.
Ai tha se Rusia do të përcaktojë çmimet për shitjen e gazit në Evropë duke përdorur një “platformë elektronike”.
Megjithatë, ekonomia e Rusisë pritet të tkurret me 2.5 për qind në vitin 2022, tha Putin./FolDrejt/