Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se nuk e kundërshton idenë e bisedimeve të paqes për Ukrainën, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.
Duke folur pas takimit me liderët afrikanë në Shën Petersburg, ai tha se nismat afrikane dhe kineze mund të shërbejnë si bazë për gjetjen e paqes.
Por Putin tha gjithashtu se nuk mund të kishte armëpushim derisa ushtria ukrainase ishte në ofensivë.
Në orët pasi ai foli, Rusia tha se një sulm ukrainas me dron në Moskë kishte dëmtuar dy blloqe zyrash.
Fluturimet u pezulluan për një kohë të shkurtër nga aeroporti Vnukovo, në jug-perëndim të qendrës së qytetit dhe një person u plagos, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve ruse Tass.
Ukraina nuk ka komentuar incidentin me dron.
Një dëshmitare okulare, e cila dha vetëm emrin e saj si Liya, i tha Reuters se mund të shihte zjarr dhe tym. “Ne dëgjuam një shpërthim dhe ishte si një valë, të gjithë u hodhën,” tha ajo. “Pastaj kishte shumë tym dhe nuk shihje asgjë. Nga lart mund të shihje zjarr.”
Për bisedimet e paqes, si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë thënë më parë se nuk do të vijnë në tryezën e bisedimeve pa parakushte të caktuara.
Kievi thotë se nuk do të lëshojë asnjë territor, por Moska thotë se Kievi duhet të pranojë “realitetin e ri territorial” të vendit të tij. Rusia pushtoi fqinjin e saj vitin e kaluar dhe po pushton territore në jug dhe lindje të vendit.
Putin tha në konferencën për shtyp të shtunën vonë natën se nuk kishte plane për të intensifikuar veprimet në frontin ukrainas për momentin.
Ai mbrojti gjithashtu arrestimin e zërave kritikë, duke pretenduar se disa njerëz po dëmtonin Rusinë nga brenda.
Kritikat e pushtimit të Ukrainës nga Moska janë të paligjshme dhe shumica e anëtarëve të shquar të opozitës janë pas hekurave ose në mërgim.