Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar liderin kinez Xi Jinping për sigurimin e një mandati të tretë në detyrë.
Xi u rikonfirmua si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze në pushtet të dielën, duke i dhënë fund një precedenti që presidentët duhet të shërbejnë vetëm për dy mandate, raporton The Guardian, transmeton Fol Drejt.
Sipas një deklarate të postuar në faqen e internetit të Kremlinit, Putin i tha Xi-t në një mesazh: “Rezultatet e Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste Kineze konfirmuan plotësisht autoritetin tuaj të lartë politik dhe unitetin e partisë që ju drejtoni.
“Jam i sigurt se rezolutat e kongresit do të ndihmojnë në zbatimin me sukses të detyrave të mëdha sociale dhe ekonomike me të cilat përballet Kina dhe do të ndihmojnë në forcimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.
“Do të ishte kënaqësi për mua të vazhdojmë dialogun tonë konstruktiv dhe punën e ngushtë të përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet e partneritetit gjithëpërfshirës dhe aleancës strategjike midis dy shteteve tona.
Të dy udhëheqësit nënshkruan një marrëveshje partneriteti “pa kufij” në shkurt, tre javë përpara pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Që atëherë, Kina ka mbajtur një linjë të kujdesshme, duke kritikuar sanksionet perëndimore kundër Rusisë, por duke mos mbështetur ose ndihmuar në fushatën ushtarake./FolDrejt/