“Nuk e di se si duan të zhvishen, sipër apo poshtë belit. Por, mendoj se do të ishte një pamje e neveritshme në të dyja rastet”, tha Putin duke iu kundërpërgjigjur liderëve perëndimorë
Presidenti rus Vladimir Putin u është kundërpërgjigjur liderëve perëndimorë të cilët u tallen me paraqitjet e tij në aktivitetet sportive, duke thënë se do të dukeshin “të neveritshëm” nëse do të përpiqeshin të imitonin atë në zhveshje, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Putin i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Turkmenistan të enjten herët kur u pyet për shakatë e bëra nga liderët perëndimorë në llogari të tij në Samitin e G7.
Ndërsa ata u ulën për bisedime, kryeministri britanik Boris Johnson bëri shaka se liderët e G7 mund të heqin rrobat e tyre për të “treguar se ne jemi më të ashpër se Putini” në mes të tensioneve Rusi-Perëndim për ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha me shaka se liderët perëndimorë mund të përpiqeshin të përshtatnin fotot ku Putin shfaqet i zhveshur nga beli e sipër në “shfaqje kalërimi me gjoks të zhveshur”, një nga aventurat e tij sportive të publikuara gjerësisht.
Duke folur para gazetarëve, Putin u përgjigj se ndryshe nga ai, liderët perëndimorë konsumojnë alkoolin dhe nuk merren me sport.
“Nuk e di se si duan të zhvishen, sipër apo poshtë belit. Por, mendoj se do të ishte një pamje e neveritshme në të dyja rastet”, tha Putin.
Ai vuri në dukje se për t’u dukur mirë “është e nevojshme të ndaloni abuzimin me alkoolin dhe zakonet e tjera të këqija, të bëni ushtrime fizike dhe të bëni aktivitete sportive”. /FolDrejt/