Vladimir Putin është shprehur sot se të gjithë duhet ta dinë se Rusia në fakt sapo ka filluar me Ukrainën ndërsa ka shtuar se ende nuk ka ardhur pjesa më serioze. Çdo perspektivë për negociatat e paqes do të zbehet sa më gjatë të zvarritet konflikti, sipas asaj që tha presidenti rus në një fjalim të ashpër para liderëve parlamentarë.
Putin shtoi po ashtu se nëse perëndimi dëshiron të mposhtë Rusinë në fushën e betejës, është i mirëpritur ta provojë.
“Sot dëgjojmë se duan të na mposhtin në fushën e betejës. Çfarë mund të thuash, le ta provojnë. Kemi dëgjuar shumë herë se Perëndimi dëshiron të na luftojë deri në ukrainasin e fundit. Kjo është një tragjedi për popullin ukrainas, por duket se gjithçka po shkon drejt kësaj. Të gjithë duhet ta dinë se, në përgjithësi, ne nuk kemi filluar asgjë ende seriozisht. Në të njëjtën kohë, ne nuk i refuzojmë bisedimet e paqes. Por ata që i refuzojnë duhet ta dinë se sa më tej të shkojë, aq më e vështirë do të jetë për ta të negociojnë me ne.” /abcnews.al/