Rashit Qalaj, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se situata në veri të vendit, po vijon të mbetet e tensionuar sot e kësaj dite, shkruan Fol Drejt.
Ndërsa kryetarët e rinj të komunave veriore presin të betohen, gjasat për shpërthim të tensioneve mbesin të larta.
Deputeti Qalaj, i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se nëse e analizojnë situatën atje, “në sipërfaqe duket situatë e qetë. Mirëpo është mjaft e tensionuar, jo tash, por ka disa muaj.”
Për sa i përket shtrirjes së sovranitetit dhe përpjekjeve të qeverisë aktuale për ta arritur këtë, ai ka thënë se, qeveria duhet t’i shfrytëzojë të gjitha metodat që kryetarët e komunave të betohen, por që paraprakisht të iu ikin tensioneve dhe konflikteve.
Megjithëse sipas tij, kryetarët e zgjedhur “do të jenë të pafuqishëm”, duke qenë se përqindja e elektoratit e cila i mbështeti ata në zgjedhjet e fundit, ishte shumë e ulët, pas thirrjeve të Listës Serbe që ato të braktisen.
Sipas Qalajt, gjithçka duhet të synohet të zgjidhet pa dhunë, duke përfshirë këtu edhe marrjen e detyrës nga kryetarët e rinj, por edhe ushtrimin e kësaj detyre./FolDrejt/