Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ia ka numëruar disa punë ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla, që sipas tij nuk ka arritur t’i realizojë.
“Nga 13 projektligjet e planifikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme për vitin 2021 vetëm 2 projektligje janë miratuar nga qeveria, që i bie se vetëm 15 për qind e programit legjislativ është zbatuar. Kjo është përqindja më e ulët ndonjëherë për MPB, e cila në të kaluarën shquhej për hartim të legjislacionit dhe politikave”, ka shkruar Qalaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, ai i ka bërë thirrje Sveçlës që të procedojë sa më parë në qeveri miratimin e Projektligjit për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë.