Drejtori i Zyres për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që ai iu referua si njësitë e ashtuquajtura ROSU që përfaqësojnë formacione të armatosura deri në dhëmbë me automjete të blinduara, nuk lejohen të shkojnë në veri të Kosovës pa lejen e komandantit të KFOR-it dhe katër kryetarëve, dhe bazuar në marrëveshjen që Prishtina ka nënshkruar me NATO-n në vitin 2013, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.
“Përfaqësuesi i institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë, Albin Kurti, sot haptazi kërcënoi konfliktet dhe përshkallëzimin e dhunës në veri të Kosovës”, deklaroi Petkoviq, dhe shtoi se nuk mund të kuptohet ndryshe mesazhi i Kurtit se askush nuk mund t’i pengojë njësitet speciale që të ndërhyjnë në veri të Kosovës.
“Kam vetëm një mesazh për Kurtin – NATO është e detyruar të parandalojë çdo përpjekje të ROSU-s për ta pushtuar veriun! Nëse ata nuk e bëjnë, do të parandalohen nga populli serb. Për të qenë krejtësisht i qartë, bëhet fjalë për kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të ekspozuar të dhunës, forcës dhe konflikteve që Kurti thërret për ta pushtuar veriun e Kosovës, me të cilin është fiksuar prej vitesh”, thotë Petkoviq dhe porosit që: “Qartë dhe zëshëm – ROSU nuk ka çfarë kërkon në veri të Kosovës, as me një shkronjë të vetme dhe me asnjë pikë të vetme të çfarëdolloj marrëveshjeje”.