Dje pas takimit të Kryeministrit Albin Kurti me emisarin special të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak për çështjen Kosovë – Serbi, u tha se ka gatishmëri për de-përshkallëzim të situatës, por që ende duhet shpenzuar energji për ta arritur atë, shkruan Fol Drjet.
Sipas një komunikate të lëshuar për media nga Zyra e Kryeministrit u tha se që në fillim të këtij takimi, Kryeministri Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik.
Më tej, ai thuhet të ketë shprehur përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Po ashtu që të ketë mohuar se Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve.
Në anën tjetër Lajçak ka paralajmëruar se sanksione do të ketë edhe ndaj Serbisë:
“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit.”
Ua kujtojmë që komuniteti ndërkombëtar ka adresuar tri kërkesa ndaj Qeverisë së Kosovës: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./FolDrejt/