Ministri i Brendshëm i Kazakistanit, Marat Akhmetzhanov, njoftoi se më shumë se 200.000 qytetarë rusë kanë mbërritur në vend që nga 21 shtatori, kur Rusia shpalli mobilizim e pjesshëm në vazhdën e luftës me Ukrainën.
“Mbi 200 mijë qytetarë rusë kanë mbërritur që nga 21 shtatori. Në të njëjtën kohë, 147 mijë qytetarë rusë janë larguar. 68 persona kanë aplikuar për shtetësinë e Kazakistanit”, u tha Akhmetzhanov gazetarëve pas mbledhjes së përjavshme të Këshillit të Ministrave, duke theksuar se situata me individët që vijnë nga Rusia është nën kontroll, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke vënë në dukje se kufiri kazako-rus ishte i mbushur me njerëz në ditët e para të mobilizimit në Rusi, Akhmetzhanov tha: “Që nga dita e djeshme, (pikat e kalimit kufitar) janë kthyer në kursin e tyre të vjetër të punës”.
Ai tha se numri i të ardhurve nga Rusia është zvogëluar ditët e fundit, duke njoftuar se “7 mijë qytetarë rusë kanë ardhur të hënën dhe 11 mijë qytetarë rusë janë larguar në të njëjtën kohë”.
Ndërkohë, ministri i Zhvillimit Digjital, Inovacionit dhe Industrisë Hapësinore të Kazakistanit, Bagdat Musin, ndau gjithashtu informacionin se që nga 21 shtatori, rreth 70 mijë shtetasve rusë u është dhënë numër individual i identifikimit të caktuar për të huajt.
Musin theksoi se ky numër individual identifikimi u jepet qytetarëve rusë jo vetëm për të hapur llogari bankare, por edhe për të kontrolluar qëndrimin e tyre në vend në përgjithësi.
Shtetasit rusë, të cilët filluan të dynden në Kazakistan pas vendimit të mobilizimit të pjesshëm, krijuan radhë të gjata në qendrat ku ofroheshin shërbimet publike për të aplikuar për “numrin individual të identifikimit” që u jepet të huajve që duan të hapin llogari bankare ose të blejnë shtëpi./FolDrejt/