(Përparim Blakaj: “Nga muret e Stambollit”, Meshari, 2023)
Autor i shumë poezive, i shumë tregimeve, i disa prozave poetike, i një këndi vështrimesh; autor i librave: “Përtej syve” (2017) dhe “Çdo gjë e mirë e ka një fund” (2018)- këto janë disa nga epitetet përmes të cilave e njohim Përparim Blakajn.
Shkruan: Qëndrim Morina
Kur i përmendëm dy librat e tij, të botuar kohë më parë (2017, 2018), me shkas nuk e përmendëm edhe prurjen e tij më të re “Nga muret e Stambollit” (2023).
Librin më të ri “Nga muret e Stambollit” të Përparim Blakajt mund ta përthekojmë në letërsi, si zhanër i esesë, si roman, si përmbledhje tregimesh apo edhe si copëza poezish, dhe me këtë mund të kuptojmë që autori (duke qenë postmodern) nuk ka synuar një vijë lineare shkrimi.
Këtë libër e kemi lexuar me një ndjenjë të trefishtë: e para, që temat e prekura nga autori kanë për temë ekzistencën dhe aktualitetin; e dyta, si autor i ri, si sihariq i ri dhe; e treta, si profesor i lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, na interesojnë krijimet e reja për studentët tanë.
Tematikat që Përparim Blakaj gjykon, kritikon, satirizon dhe që shprehin realitetin e aktualitetin janë: Fëmijëria ime, rrethuar me blloqe të kuq; Pse?; Zoti; Ky jam unë po ti si më njeh; Një thirrje me ofshamë; Vetmia; Lodhur nga pritjet; Njerëz të mençur, njerëz të pikëlluar; Prof.dr. Askush Kërkushi; Baba, pse po i vrasin gratë?; Kur varrosim të dashtunit tanë; A na duhen burrat realisht?; Sa turp është të jesh i turpshëm; Me mund, djersë e gjak; Darkë me helm; Tregu ku shitet Krishti; Buka e nanës; Djersa e babës; Kjo është hakmarrja ime.
Mendësia filozofike e Përparim Blakajt është kryesisht sintetizimi i keqinterpretimeve morale dhe shoqërore, të frymëzuara nga frika, dhuna, pesimizmi e nihilizmi me elemente të mërzisë dhe mosbesimit ndaj jetës dhe botës ekzistuese (aktualiteti). Për të jeta është fakt (këndi i besimit si një besimtar i dëvotshëm); si ironi tragjike (Sa turp është të jesh i turpshëm); si dhe si strofkë lotësh e vuajtjesh (Baba, pse po i vrasin gratë?; Kur varrosim të dashurit tanë!; Lodhur nga pritjet; Vetmia; Një thirrje me ofshamë). Jeta për autorin është bërë fole e anktheve (Fëmijëria ime, rrethuar me blloqe të kuq); dridhmave dhe brengosjeve të panumërta të njerëzimit (Buka e nanës; Djersa e babës; Ky jam unë, po ti si më njeh?). Autorin e gjejmë edhe si të neveritur dhe të rrënuar fizikisht dhe shpirtërisht (Baba, pse po i vrasin gratë?); autorin e gjejmë edhe të brengosur se si njerëzit kanë krijuar bindshëm se në jetën e tyre është tretur çdo shkëndi gëzimi, shprese dhe lumturie.
Përparim Blakaj, ndonëse shquhet për optimizëm, veprën e tij herë-herë e kaplon pesimizmi, sepse siç thamë vepra e tij është art i aktualitetit tonë dhe luftës për mbijetesë.
Faktorët që e bëjnë më komplekse gjendjen pa rrugëdalje të individëve, gjykon Blakaj, janë ndërgjegjja e zymtë e tyre, apokalipsa e botës dhe tragjedia tronditëse e njerëzimit. Për këto dhe gjykimet e tjera të kësaj natyre të tij, e bëjnë atë apostull të shqetësimeve dhe të paragjykimeve më të thella ekzistenciale.
Në veprën e Blakajt “Nga muret e Stambollit” gjejmë edhe raportin: shtet- arkivues- predikim moral në situata si: “Akte tronditëse- thotë ministri; ngjarje e tmerrshme- thotë presidentja; Vrasja duhet ndaluar- thotë polici; Krime çnjerëzore- thotë gjykatësi; Nuk duhet ndodhur, haram!- thotë hoxha; Nuk duhet përsëritur- thotë prifti”.
Autori Blakaj shton në librin e tij edhe një ngjarje aktuale që po ndodh më të madhe kohët e fundit: Vrasja e grave! Ai shqetësohet shumë, si çdokush, për gjërat e tilla dhe pyet shpesh: Njëmend, pse po i vrasin gratë?, duke e bërë një listë të gjatë emra vjetësh të grave të vrara me titullin: “Listë që nuk mbaron”.
Thirrjen e Blakajt për vektorë të ndryshëm jetësorë e gjejmë në forma të ndryshme, por më se shumti, si thirrje me ofshamë, dhe si rrjedhojë e kësaj natyre ai vjen në disa përfundime, si:
E pjesshme ishte jeta,
E përbotshme ishte dashuria,
Liridashëse ishte poezia,
Shtathedhur ishte kënga. (f. 28)
Prozator Blakaji edhe konceptin “liri” e konsideron si të shenjtë, si mirësi, si krenari, si dhe si diçka që nëse nuk e posedon atë, nuk mund të paramendohet as të kuptohet si qenie njerëzore. Sepse, jeta dhe dituria e sotme janë bërë aq të ngatërrueshme (Prof.dr. Askush Kurrkushi) dhe të pasigurta, saqë vetëm përmes diskutimeve e mirëkuptimeve të lira e reciproke, mund t’i dallojmë saktësisht iluzionet nga realiteti i një mendtë dhe paragjykimet nga faktet e verifikuara. Le të dominojë absolutisht parimi i tolerancës, sipas të cilit të rriturit e një individi dhe zbulimi i një bashkësie, të mos bëhet asesi në llogari të tjerëve.
Krejt, në fund, dhe po besojmë që fundin nuk jua kemi sjellë herët lexu, po e përmbyllim edhe me tiparet e Blakajt se mendimi kritik dhe radikal në epokën tonë dhe në të ardhmen mund të bëhet orientues dhe frytdhënës, vetëm nëse mishërohet me veçoritë më të çmueshme të njeriut, me të cilën krenohet dhe inspirohet- me dashurinë ndaj jetës dhe njerëzimit.