Qerim Ondozi, përveç poet e tregimtar, është edhe poliglot e përkthyes. Në këtë intervistë për Fol Drejt ai ka folur për përkthimin nga gjuhët e ballkanit, për sfidat dhe çështjet e ndryshme që ndërlidhen me këtë profesion.
Intervistoi: Ardit Mehmetaj
A.Mehmetaj: Për Ekon përkthimi është “Të thuash gati të njëjtën gjë”, por kurrë të njëjtën gjë. Ndërsa, Borhesi në ligjëratën e tij të katërt të Nortonit thotë se është paragjykim mjaft i përhapur se asnjë përkthim s’i afrohet kurrkund origjinalit. Veç këtyre, janë dhënë shumë mendime e përkufizime se ç’është përkthimi. Po për ju ç’është përkthimi?
Q.Ondozi: Zakonisht përpiqem t’i shmangem pyetjeve të këtilla ku kërkohen definicione të “gatshme” për pyetjet e mëdha si kjo. Ç’është përkthimi? Është ta thuash të njëjtën gjë njëjtë dhe ndryshe në një gjuhë tjetër. Përkthimi është gjuhë në vetvete të cilën ne e përdorim për të thënë atë që është thënë. Ne kur mendojmë përkthejmë, kur shohim përkthejmë, kur flasim përkthejmë atë që kemi parë e dëgjuar, dhe këtë e bëjmë si domosdoshmëri për t’u kuptuar nga tjetri e për të komunikuar me tjetrin.
Përkthimi është borxh. Diçka ke marrë dhe ke PËR ta KTHYER.
A.Mehmetaj: Përkthimi është definuar edhe si “dështim të pashmangshëm” ose “dështim produktiv”. A mendoni që përkthimi asnjëherë nuk ka sukses plotësisht?
Q.Ondozi: Përkthimi është i suksseshëm nëse je përkthyes arrogant. Përkthimi është i pasuksesshëm nëse je frikacak, autokritik ekstrem… Dhe përkthimi me pjekuri është gjetja e mesit ndërmjet këtyre dy ekstremeve. Çdo profesionist i çfarëdo fushe nuk do të jetë i kënaqur me punën që e ka bërë duke ditur gjitjhmonë që ka mundur të bëjë më shumë. Por, gjithmonë duhet të jetë i vetëdijshëm që, si qenie njerëzore, përkthyesi dhe çdo krijimtar tjetër është i kufizuar me dy boshte – kohë dhe hapësirë – dhe në një pikë të këtyre dy boshteve ai duhet të dorëzojë (punën) e të dorëzohet përpara faktit se gjithçka është e ndryshueshme, gjithçka është e përmirësueshme ndërsa vënia e pikës është domosdoshmëri kohore dhe hapësinore.
A.Mehmetaj: Ju si keni filluar me përkthimin?
Q.Ondozi: Unë kam filluar të përkthej kur kam filluar të lexoj në gjuhë të dytë. Më kujtohet që kam lexuar shumë vepra letrare në kroatisht. Deri në moshën 20-vjeçare kam lexuar disa vepra të Shekspirit, Çehovit, Dostojevskit, Dickensit në gjuhën serbokroate, dhe besoj që aty kam filluar ta “përkthej” atë që e lexoj. Ndërsa me përkthime më seriozisht e më intensivisht kam filluar të merrem nga viti 2009 e këtej, duke përkthyer drama, poezi e prozë të cilat janë botuar si libra, apo në revista letrare e antologji vendore e ndërkombëtare.
A.Mehmetaj: Cilat janë sfidat e përkthimit nga gjuha serbokroate, boshnjake e angleze në gjuhën shqipe?
Q.Ondozi: Jam më shumë i përqendruar në përkhimet nga boshnjakishtja në gjuhën shqipe dhe këtë e bëj për një varg arsyesh. Ekziston një emërues i përbashkët mes dy popujve tanë, si në kontekstin më të hershëm historik ashtu edhe në atë më të vonë, kur ishim pjesë e një shteti. Po ashtu, duke qenë se Kosova dhe Bosnja janë dy shtete që i kanë vuajtur pasojat më të mëdha të shpërbërjes së Jugosllavisë, mua më intereson se si boshnjakët e trajtojnë historinë, luftën, tjetrin, dhe natyrisht këtë mundohem ta sjell në Kosovë, duke shpresuar se këtu do të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe pikëtakim. Me atë çka kam lexuar deri më tani, kam përshtypjen se autorët boshnjakë po ia dalin ta përçojnë universalitetin e dhimbjes njerëzore, universalitetin e letërsisë – i cili është i domosdoshëm nëse duam t’i shërbejmë secilit dhe jo veç vetes.
Sfidat e përkthimit nga boshnjakishtja apo nga gjuhët tjera simotra nuk janë dhe shumë të mëdha. Duhet pasur parasysh që këto letërsi shpesh e kanë një kontekst i cili nuk kërkon shumë “përkthim” për t’u kuptuar për lexeusin shqiptar. Ta zëmë, boshnjakishtja por edhe serbishtja kanë shumë arabizma, persizma e turqizma të cilat nuk kemi nevojë t’i përkthejmë në shqip sepse ato janë në përdorim të gjerë edhe në gjuhën shqipe, Dhe në këto raste përkthyesi ndihet “fitimtar” sepse ka arritur ta përçojë me besnikëri mesazhin e autorit. Mbase kjo është arsyeja që parapëlqej të përkthej nga boshnjakishtja.
Nuk kam dëshirë të futem në diskutimet e përkthimeve nga “gjuhë të mëdha” në “gjuhë të vogla” sepse çdo gjuhë ka vegla të veta shprehëse dhe asgjë nuk është më e lehtë ose më e vështirë. Problemi paraqitet kur duhet përkthyer konteksti dhe jo fjalët apo shprehjet… Dhe këtu shumë përkthyes dështojnë.
A.Mehmetaj: Kur hasni në fjalë, koncepte a zhargone që në dukje të parë janë “të papërkthyeshme”, si i trajtoni ato?
Q.Ondozi: Nuk ka koncepte të papërkthyeshme. Ata të shkollës së vjetër gjithmonë kanë thënë: “përktheu dhe përshtati”, madje edhe “shqipëroi”. Nëse nuk mund të përkthesh, përshtat. Nëse nuk mund të përshtatësh, shqipëro. E nëse nuk mund të shqipërosh – ndërro profesionin.
Natyrisht, përkthimi si zanat i ka veglat e veta, ka mënyra për ta përkthyer të papërkthyeshmen, me shënime e fusnota. Por, në përkthim letrar përpiqemi t’u shmangemi këtyre veglave. Dhe nuk bën ta harrojmë një gjë – lexuesi do ta lexojë VETËM përkthimin, e detyra jote si përkthyes është që ai përkthim të mos tingëllojë si përkthim.
A.Mehmetaj: Përveç prozës, përktheni edhe poezi. Si i qaseni përkthimit të poezisë? A është më sfiduese se përkthimi i prozës?
Qerim Ondozi përveç poet e tregimtar, është edhe poliglot e përkthyes. Në këtë intervistë për Fol Drejt ai ka folur për përkthimin, për sfidat e përkthimit nga gjuha serbokroate, boshnjake e angleze e çështje të tjera që ndërlidhen kryesisht me përkthimin letrar.
Q.Ondozi: Nuk e di a është më sfiduese. Mua më pëlqen shumë të përkthej poezi të cilat më pëlqejnë. Besoj se çdo përkthyes letrar është njëfarë autori, njëfarë poeti. Dhe besoj që ne, përkthyesit që i frikëoshen autorësisë, shkruajmë duke “u fshehur” pas autorit, gjejmë atë që do ta kishim shkruar vetë – në një botë ideale – në veprat e autorit dhe atë e përkthejmë. Dhe gjithsesi, kur ne e kthejmë një poezi në gjuhën shqipe, ne atë e kemi rishkruar, e kemi shkruar.
Gjetjet në poezi, po flas për gjetjet që na kënaqin, përkthyesin e bëjmë shumë të lumtur. Meqë në letërsi përkthyesve u jepet “liri” më e madhe, në këto raste atyre u jepet mundësia ta shfaqin kreativitetin e tyre, artin e tyre, atë që s’kanë pasur guxim ta bëjnë vetë. Hahahaha!
A.Mehmetaj: A i riktheheni shpesh përkthimit për ta rishikuar dhe kur e dini se ai përkthim ka përfunduar?
Q.Ondozi: Jo. Ende nuk jam pjekur mjaftueshëm ta takoj Qerimin e para njëzet viteve dhe t’ia fal për gabimet që i ka bërë. Parëz i përmenda ato dy boshte, hapësirë-kohë, të cilat duhet t’i kemi parasysh në procesin tonë prodhues. Qerimi sot do të gjente zgjidhje shumë më të mira se Qerimi i para njëzet viteve – po s’qe kështu, e kemi një problem të madh. Por, nuk e takoj shpesh atë Qerim. Të tjerët ma përmendin nganjëherë, dhe madje i thonë ca fjalë të mira për të. Por unë nuk u besoj…
A.Mehmetaj: Sa konsultohesh me fjalorët gjatë përkthimit?
Q.Ondozi: Shumë pak e aspak. Po flas për fjalorët tradicionalë. Përkthyesi i mirë nuk përdor shumë fjalorë. Sidomos jo ato dygjuhësh. Ne e dijmë që asnjë fjalë nuk mund të përkthehet me një fjalë tjetër.
Natyrisht, përdor fjalorë sinonimik, fjalorë frazash, fjalorë rimash… Dhe për fat të keq, burime të këtilla në gjuhën shqipe kemi pak. Por kjo po shkon drejt përmirësimit.
A.Mehmetaj: Është pothuajse e njohur që përkthimi letrar nuk paguhet shumë mirë, por megjithatë shumë njerëz interesohen për të, pse është kështu?
Q.Ondozi: Përkthimi letrar nuk mund të paguhet mirë, sepse vlen njëqindfish më shumë se që një shtëpi botuese mund ta paguajë. Kur e marrim parasysh mundin, guximin, kokëdhembjet nëpër të cilat kalojnë përkthyesit (seriozë), është zor t’i vihet çmimi asaj pune. Nuk njoh përkthyes që jetojnë nga përkthimi letrar.
Më duket se në Kosovë, mbase ndryshe nga Shqipëria, përkthyesit e bëjnë këtë punë pa e vrarë fort mendjen për honorarin. Pra, procesi shkon kështu: Përthyesi e lexon një vepër, i pëlqen dhe e përkthen. Krejt pas përfundimit, ai fillon të “biesdojë” me shtëpitë botuese për botimin e asaj vepre. Honorari është luks.
Por dashuria nuk ka çmim, apo jo!?
A.Mehmetaj: Për fund, një këshillë për përkthyesit e rinj letrarë.
Q.Ondozi: Përkthyesi duhet të punojë shumë, duhet të përkthejë e të lexojë vazhdimisht, duhet ta ruajë ritmin dhe këtë ta bëjë çdo ditë – nëse ka mundësi për këtë.
Përkthimi kërkon shumë kondicion mendor i cili nuk mund të arrihet vetëm duke qenë “artist”, vetëm duke pasur talent. Sa më shumë punë!/FolDrejt/