Hulumtuesit kanë konvertuar qeset plastike në copa të karbonit për bateri, duke ofruar një mënyrë për të vënë në ripërdorim qeset plastike të hedhura.
Ndotja nga qeset plastike është bërë një problem serioz mjedisor, aq sa Kalifornia ka ndaluar qeset plastike për një përdorim të vetëm në dyqanet e mëdha të shitjes dhe organizata të ndryshme po shfaqen në mbarë botën për të luftuar sasi të mëdha plehrash plastike në Oqeanin Paqësor, sipas Konferencës Kombëtare të Legjislaturave Shtetërore Amerikane.
Plastika mund të marrë qindra vjet për t’u zbërthyer, dhe kur degradohet ngadalë me rrezet e diellit, ajo lëshon kimikate toksike në mjedis, sipas Ocean Cleanup.
Qëllimi i studiuesve në Universitetin Purdue dhe Universidad Tecnológica de Querétaro në Meksikë ishte të zhvillonte një mënyrë të thjeshtë, relativisht të lirë për t’i kthyer qeset plastike të përdorura, në një ruajtës karbonik të energjisë.
Në metodën e re me kosto të ulët, studiuesit zhytën qeset plastike nga polietileni në acid sulfurik dhe nxehën ato në një reaktor të posaçëm, deri në pikën nën temperaturën e shkrirjes së polietilenit, përcjell Telegrafi.
Kjo lejoi që plastika të nxehej në një temperaturë shumë më të lartë pa u avulluar në gazra të rrezikshme. Pastaj, ata larguan polietilenin të trajtuar nga reaktori dhe e nxenë atë në një furre për të prodhuar karbon të pastër.
Hapi përfundimtar ishte transformimi i karbonit në një pluhur të zi që përdoret për të bërë anode për bateri litium-jon.
Hulumtimi u botua në Shoqatën Kimike Amerikane.