36 deputetë kanë paraqitur mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së 43-të të Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviq.
Siç thuhet në deklaratën e përbashkët të deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Partisë Socialdemokrate (SDP), Partisë Liberale (LP), Socialdemokratëve (SD) dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve (DUA) arsyeja e këtij mocioni është mungesa e rezultateve të Qeverisë në drejtim të zbatimit të prioriteteve që u përcaktuan gjatë zgjedhjes së saj.
“Për më tepër, sjellja injorante e kryeministrit Dritan Abazoviq ndaj pikëpamjeve të institucioneve më të rëndësishme shkencore në vend, si dhe ekspertëve të shquar dhe organizatave të shoqërisë civile, dhe duke i vënë në plan të parë marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe ka çuar në ngritje të tensioneve në shoqëri dhe në humbjen e pakthyeshme të kohës së nevojshme për përmbushjen cilësore të detyrimeve nga agjenda evropiane. Kjo Qeveri e ka humbur legjitimitetin”, thuhet në deklaratë, shkruan Vijesti, transmeton Klankosova.tv.
Këta deputetë thonë se ishte e nevojshme paraqitja e mocionit të mosbesimit “për të mbrojtur interesat jetike shtetërore të Malit të Zi dhe për të ruajtur mundësinë që vendi ynë të ecë në rrugën për integrimin evropian”.
Për rrëzimin e qeverisë kërkohet shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve – 41 vota që do të thotë se nënshkruesit do të duhet të kërkojnë mbështetjen edhe e të paktën pesë deputetëve të tjerë.