Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste” në veri të vendit, prej ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë përleshjeve me protestuesit në komunën veriore të Zveçanit.
“Grafitet nacionaliste shoviniste serbe dhe aso pro-Kremlinit me ekstremistë të maskuar, që targetojnë, vandalizojnë dhe sulmojnë çdo gjë jo-serbe, është treguesi kryesor i motiveve prapa veprimeve të dhunshme, e të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, tha qeveria përmes një komunikate për media pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Qeveria tha se në këtë takim me ambasadorët u diskutua për situatën në veri të vendit, si dhe u pajtua që me ta të vazhdohet të mbahet komunikim i dendur gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
“Shkas dhe temë kryesore e takimit ishin zhvillimet e fundit në veri të vendit, sidomos veprimet e dhunshme dhe kriminale të protestuesve ekstremistë ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it, dhe pjesëtarëve të medieve”, thuhet në komunikatë.
Sipas qeverisë, në këtë takim kryeministri theksoi rëndësinë dhe nevojën për shtensionimin e situates, si dhe shprehu gatishmërinë për të punuar me shtetet e QUINT-in drejt këtij qëllimi. /REL/