Qeveria e Kosovës duhet ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik, i cili garanton mirëqenie të qytetarëve dhe qeverisje stabile. Njohësit e fushës së ekonomisë thonë se disa nga sfidat që duhet të adresohen me urgjencë në planin e brendshëm nga qeveria e kryeministrit, Albin Kurti, janë: ndalja e emigrimit të të rinjve, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, luftimi i korrupsionit si dhe fuqizimi i rendit dhe ligjit.
Qeveria e Kosovës gjithmonë ka proklamuar një program të gjerë në aspektin socio-ekonomik, por veprimet deri tash nuk kanë qenë të tilla. Kështu thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili potencon se prioritetet e politikave ekonomike duhet të janë të qarta dhe të matshme sidomos sa i përket hendekut të shkathtësive dhe ikjes së trurit’, rritjes të eksportit dhe investimeve të huaja direkte, sigurisë juridike për bizneset si dhe luftimit të informalitetit.
“Rritja e migrimit apo ajo që është më e dëmshmja për ekonominë duhet të jetë prioritet, të mos kemi hendekun me fuqinë punëtore dhe me atë se çfarë ofron sistemi arsimor. Duhet një qartësi për sa i përket politikave për investime dhe për eksport, një punë e përbashkët e bashkëpunimit të çështja e informalitetit. Duhet që Kosova ta ketë të qartë të ardhmen e vet energjetike dhe duhet të angazhohemi që Kosova të krijojë vende punë të qëndrueshme.”
Ndërkohë, sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, ekonomia është çelësi i çdo suksesi nëse ajo është në zhvillim e sipër. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë për Radio Kosovën, se deri tani ka vazhduar trendi i pakënaqësive sociale, dhe e atyre që duan ta lëshojnë Kosovën.
“Deri më tani statistikat tregojnë se ekonomia e vendit ka shënuar rritje rreth 4 për qind, por edhe ka vazhduar trendi i pakënaqësive sociale, rritja e kërkesave të atyre qytetarëve që duan ta lëshojnë Kosovën. Dhe kjo do të duhet të jetë një prioritet për qeverinë Kurti, nëse do të ketë politika nxitëse zhvillimore të investimeve qoftë vendore apo të huaja, në mënyrë që të rriten investimet, eksporti dhe të ndalen migracionet për të cilën është rrezik se një ditë Kosova do të mbetet e zbrazët”.
Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se qeveria Kurti duhet të garantojë një ekonomi të lirë të tregut si dhe një mjedis të barabartë, i cili do të lejonte investitorët vendorë dhe të huaj të shfrytëzonin potencialin e tyre për një rritje të përshpejtuar ekonomike, e cila do të ndihmonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve.