Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për të mbyllur aktivitetin e televizionit “Klan Kosova”.
Ministria e Industrisë, Ndërmarësisë dhe Tregtrisë ka bërë të ditur se komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve, ka refuzuar ankesën e “Klan Kosova” lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit.
Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vendimit të ARBK-së për refuzimin e ankesës së pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Çitaku tha se qeveria e Albin Kurtit ka marrë vendim që ta mbyllë Klan Kosovën.
“Duke ia marrë çertifikatën e biznesit pamundësohet operimi i njërit prej mediumeve më të mëdha e më të rëndësishme në vendin tonë. Sot, ideja e lirisë së fjalës dhe mendimit po sulmohet brutalisht”, tha Çitaku.
Pas këtij vendimi ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha duke thënë se dje iu kufizua hapësira e punës së gazetarëve, ndërsa sot, Qeveria e Kosovës e mbyll Klan Kosovën.
“Sot, Qeveria e Kosovës e mbyll mediumin Klan Kosova duke e cenuar fjalën e lirë dhe demokracinë. Shoqëria kosovare nuk e ka duruar nënshtrimin as dikur në rrethana të tjera. E as sot, nënshtrimi NUK KALON”, tha Hoxha.