Pa u bërë një muaj nga miratimi i buxhetit për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar të shpenzojë mjete nga rezervat buxhetore.
Nga 4 milionë e 800 mijë euro sa janë ndarë si rezerva shtetërore, në bazë të Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit, vetëm për dy muajt e parë janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Nga kjo shumë, “Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë, 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë, kurse mjetet tjera në vlera më të vogla janë ndarë për klubin e prodhueseve, renovim të shkollave e të tjera”, thuhet në përgjigje.
Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.
Organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojë në Ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen.
Anëtar të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se shpenzimi i mjeteve nga fondi rezervë është papërgjegjësi dhe keqpërdorim i parasë publike nga ekzekutivi.
Avdullah Hoti, anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, në një bisedë e quan papërgjegjësi të Qeverisë ndarjen e mjeteve nga fondi rezervë pa asnjë arsyeshmëri ligjore. Ai thotë se shumica e vendimeve të Qeverisë për ndarje të mjeteve nga ky fond, nuk i plotësojnë kushtet ligjore.
“Ligji për financa publike specifikon kushtet që duhet plotësuar, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të ketë të drejtë të ndajë mjete nga rezervat shtetërore, si në situata të vërshimeve, në situata të paparashikueshme, në projekte në të cilat nuk ka pasur mundësi që të parashihen paraprakisht në buxhet të rregullt. Dhe, sa herë që Qeveria ndanë mjete të tilla, gjithmonë duhet të jetë opinioni i Ministrisë së Financave, që analizon situatën dhe e sheh se a ka bazë ligjore për ndarjen e mjeteve të tilla. Pra, ky është shpërdorim i madh i buxhetit të shtetit”, tha Hoti.
Edhe Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë se vendimet e tilla të Qeverisë do të rrezikojnë buxhetin e përgjithshëm të Kosovës. Ai thotë se në Qeveri ka mungesë të një disipline buxhetore, kurse vendimet merren në mënyrë ‘ad- hoc’.
“Në qoftë se luhet me rezervat shtetërore në këtë formë dhe nuk ka përgjegjësi, nuk ka një disiplinë në menaxhim, atëherë paramendo çfarë mund të ballafaqohet në të ardhmen Kosova. Në institucionet e Kosovës, si duket është krijuar një standard që krejt ajo që është e ndaluar, të jetë e lejuar, dhe krejt kjo në mungesë të rendit dhe ligjit. Në mungesë të rendit dhe ligjit ka mungesë të përgjegjësisë, qoftë individuale apo institucionale. Sot, Kosova është shndërruar në një arenë të shfrytëzimit, të keqpërdorimit, nga e cila jo vetëm që po pësojnë qytetarët, por po pëson edhe imazhi i saj dhe pasojat do të jenë shumë të mëdha në ardhmen”, thekson Gërxhaliu.
Buxheti i Kosovës është miratuar më 2 shkurt në Kuvendin e Kosovës, dhe arrin shumë 2.3 miliardë euro.