Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës përmes një postimi në profilin e tyre në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimet nëpër territorin e Serbisë.
“MPJD fton qytetarët e Republikës së Kosovës të shmangin kalimin nëpër Serbi
Për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin kalimin nëpërmjet Serbisë.
MPJD, gjatë ditës ka pranuar raportime për arrestime të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përgjatë kalimit të tyre nëpër Serbi, dhe po merret nga afër me rastet nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
Marrë parasysh zhvillimet e fundit, dhe duke e njohur qasjen jo korrekte të autoriteteve serbe, me qëllim të shmangies të çfarëdo incidenti, MPJD fton qytetarët që të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në postimin e tyre, transmeton Fol Drejt.