Qeveria e re e Bullgarisë nuk do të ndryshojë pozicionin lidhur me Maqedoninë e Veriut; do të mbetet në fuqi vetoja për bllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Kështu tha ministri i ri i Jashtëm i Bullgarisë, Svetlan Stojev, në një konferencë të përbashkët për media me ish-ministren e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva.
Deri në zgjedhjet e reja parlamentare më 11 korrik, Bullgaria do të drejtohet nga një Qeveri e përkohshme me në krye gjeneralin Stefan Janev.
“Pozicioni kornizë është miratuar me konsensus nga të gjitha forcat politike në Parlamentin bullgar. Ne, si Qeveri e përkohshme, nuk kemi asnjë autoritet për ta ndryshuar atë pozicion kornizë, por unë mund t’ju siguroj se ajo çka varet nga kabineti i përkohshëm dhe ministri i Punëve të Jashtme, do të jetë për të vazhduar dialogun. Nga këtu e tutje, zyrtarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut e dinë shumë mirë se cili është pozicioni bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy-tre muajt e ardhshëm, sa do të zgjasë puna e Qeverisë së përkohshme”, tha Stojev.
Pozicioni kornizë i Bullgarisë, të cilit iu referua Stojev, mohon ndarjen e kombit maqedonas, por sugjeron se ai ka rrënjë bullgare, ndërsa trajtim të njëjtë ka edhe për gjuhën maqedonase, duke kërkuar që të quhet gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës aktuale, apo gjuhë e Maqedonisë së Veriut dhe jo gjuhë maqedonase.
Por, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha se për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, siç janë përkatësia etnike dhe gjuha, nuk mund të ketë bisedime.
Zaev, këtë e ka bërë të qartë edhe në takimit e fundit në Bruksel me zyrtarët e lartë të BE-së.
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020, ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar atë me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.