Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapetritis tha se shtyrja e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Turqinë nuk është në dobinë e dy vendeve dhe se qeveria greke dëshiron të rrisë dialogun dhe bashkëpunimin me Turqinë në periudhën e re, transmeton Anadolu.
Në bisedimet e kuvendit ku u diskutua për programin e ri të qeverisë, Gerapetritis dha informacione për prioritetet e politikës së jashtme të vendit të tij. “Qëllimi i sinqertë për bashkëpunim dhe dialog me respektimin e ligjit ndërkombëtar do të vazhdojë të mbetet busulla jonë në marrëdhëniet me Turqinë”, deklaroi Gerapetritis.
“Greqia dëshiron marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Turqinë”, tha Gerapetritis i cili tha se synohet rifillimi i bisedimeve mes dy palëve, formimi i agjendës pozitive me masa të rritjes së besimit dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik.
Duke tërhequr vëmendjen se kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis do të takohet me presidentin Rexhep Tajip Erdogan në Samitin e NATO-s që do mbahet javën e ardhshme në Vilnius, Gerapetritis tha se Mitsotakis do të përpiqet të formojë marrëdhënie me Erdogan-in në kuadër të respektit reciprok.
“Greqia, problemet lidhur me zonën ekskluzive ekonomike (ZEE) dhe shelfin kontinental me Turqinë, dëshiron t’i zgjidhë me marrëveshje të ngjashme siç ka vepruar me Egjiptin dhe Italinë”, theksoi Gerapetritis i cili shtoi se “Shtyrja vazhdimisht e këtyre problemeve nuk u shërben interesave të të dy vendeve”.
Ai tha se problemi i Qipros është prioritet i politikës së jashtme të Greqisë dhe pretendoi se zgjidhja me dy shtete nuk mund të pranohet.
Duke bërë të ditur se vendi i tij e sheh të papranueshëm revizionimin, Gerapetritis mbrojti idenë se “status quo”-ja e përcaktuar nga Traktati i Lozanës dhe Konveta Montreux nuk mund të ndryshohet.
Gerapetritis shpjegoi se Athina synon të ndjekë politikë aktive në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai tha se Greqia mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO, do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, do të ndërmarrë iniciativë për perspektivën e Ballkanit në Bashkimin Evropian (BE), do t’i kushtojë rëndësi bashkëpunimit rajonal në Mesdheun Lindor si dhe synon të zhvillojë marrëdhëniet me Izraelin, Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe SHBA-në.