Zëvendëskryeministri i parë për Dialog, Zhvillim dhe Integrim Evropian, Besnik Bislimi, priti sot në takim të Dërguarin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, dhe Ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se qeveria është e sigurt që Peach do të kontribuojë pozitivisht në sigurinë rajonale dhe rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Bislimi dhe Peach e shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes dy vendeve, në fusha dhe sektorë të ndryshëm.
I dërguari Special i Mbretërisë së Bashkuar shprehu gatishmërinë e tij në bashkëpunimin me autoritetet në Kosovë si dhe mbështetjen për procesin e dialogut dhe ndaj partnerëve të BE-së dhe SHBA-së.
Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi parimet e rëndësishme të dialogut, duke treguar njëkohësisht se çfarë pret Kosova nga ky proces.