Ministrja gjermane e mbrojtjes tha të dielën se Bashkimi Evropian duhet të diskutojë ndalimin e importit të gazit natyror rus pasi zyrtarët ukrainas dhe evropianë akuzuan forcat ruse për kryerje të mizorive pranë Kievit.
“Duhet të ketë një përgjigje. Krime të tilla nuk duhet të mbeten pa reagime”, tha ministrja gjermane e mbrojtjes Christine Lambrecht në një intervistë për kanalin televiziv ARD.
Berlini deri më tani u ka rezistuar thirrjeve në rritje për të vendosur një embargo ndaj importeve të gazit natyror nga Rusia, duke thënë se ekonomia e Gjermanisë dhe ato të vendeve të tjera evropiane janë shumë të varura nga energjia ruse. Rusia përmbush 40% të nevojave të Evropës për gaz natyror.
Por zonja Lambrecht tha se ministrat e BE-së tani do të duhet të diskutojnë vendosjen e një embargoje, thuhej në një postimi në Twitter nga ministria gjermane e mbrotjes.
Ndërkohë, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock të dielën bëri thirrje gjithashtu për sanksione më të ashpra ndaj Moskës, por nuk përmendi sektorin e energjisë.
“Ata që janë përgjegjës për këto krime lufte duhet të japin llogari. Ne do të ashpërsojmë sanksionet kundër Rusisë dhe do ta ndihmojmë Ukrainën edhe më shumë në përpjekjet e saj për t’u mbrojtur”, tha ajo në një postim në Twitter.
Bashkimi Evropian ka punuar për vendosjen e sanksioneve shtesë për disa kohë, por komisioneri ekonomik Paolo Gentiloni tha të shtunën se çdo masë shtesë nuk do të ndikojë në sektorin e energjisë.
Ukraina tha të shtunën se kishte marrë kontrollin e plotë të rajonit të Kievit për herë të parë që kur Rusia nisi sulmin më 24 shkurt. Kryetari i bashkisë së Buças, një qytet i çliruar 37 kilometrja në veriperëndim të kryeqytetit, tha se 300 banorë të tij ishin vrarë nga ushtria ruse.
Ministria ruse e mbrojtjes mohoi akuzat, duke thënë se pamjet dhe fotografitë që tregojnë trupat e pajetë në Buça ishin “një provokim tjetër” nga Kievi.
Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje përmes një deklarate që organizatave ndërkombëtare si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq t’u lejohet qasja në zonat e prekura nga lufta për të dokumentuar në mënyrë të pavarur ato që ai i përshkroi si mizori./VOA/