Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministrja Haxhiu ka prezantuar katër ekspoze për shqyrtim dhe aprovim përfshirë; Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë sё Republikës së Kosovës dhe Këshillit tё Ministrave tё Republikës së Shqipërisë për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Civile dhe Tregtare, Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës si dhe Projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Sa i përket Marrëveshjes të cilën e ka arritur Republika e Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ministrja Haxhiu bëri të ditur se qëllimi i kësaj Marrëveshje është forcimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile dhe tregtare në mes të dy vendeve dhe lehtësimi i procedurës ligjore në këtë fushë.
Kjo Marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat lidhur me gjendjen civile, çështjet familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile apo tregtare të personave fizik dhe juridik. Përmes saj adresohen çështjet si: Garantimi i mbrojtës së të drejtave të njeriut si dhe qasja ne gjykata dhe organe tjera, përjashtimi nga legalizimi i dokumenteve, ndihma juridike dhe lirimi nga pagesa e shpenzimeve gjyqësore dhe fuqia juridike e dokumenteve publike, transmeton Fol Drejt.
Sa i përket Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ministrja Haxhiu tha se ndër të tjerash, përmes këtij Projektligji synohet që të bëhet rregullimi ligjor i ekzekutimit të sanksioneve penale, aplikimi i masave të trajtimit të detyrueshëm dhe aplikimi i masës së paraburgimit.
Ndryshimet e parapara në këtë Projektligj, përveç tjerash, tha Haxhiu kanë ardhur edhe si kërkesa të parashtruara nga organizatat që kanë monitoruar institucionet korrektuese si dhe kërkesat nga vet të burgosurit dhe që lidhen me panelin për lirim me kusht, pezullimin e dënimit, ditët e pushimit dhe lirimin e parakohshëm.
Sa i përket Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, ministrja Haxhiu tha se përmes tij synohet që të bëhet përcaktimi i statusit, parimet, përgjegjësitë, menaxhimi dhe organizimi përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, kushtet e veçanta apo shtesë për rekrutim, të drejtat ose detyrimet specifike, rregullat e veçanta për zhvillimin e karrierës sipas sistemit të gradave, zhvillimin profesional dhe nevojat për trajnime, transferimin dhe sistematizimin e nëpunësve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ministrja Haxhiu para kabinetit qeveritar ka prezantuar edhe Projektligjin për Shërbimin Sprovues të Kosovës përmes të cilit tha Haxhiu synohet që të bëhet përcaktimi i statusit, parimeve dhe organizimi i përgjithshëm i Shërbimit Sprovues të Kosovës, me qëllim të rehabilitimit dhe ri-integrimit shoqëror të personave nën mbikëqyrje, gjithashtu, parandalimin e veprave penale dhe uljen e rrezikut të përsëritjes së tyre si dhe të kontribuojë në mbrojtjen e interesit publik.
Derisa ka theksuar rëndësinë e këtyre projektligjeve, ministrja Haxhiu shtoi se aprovimi i tyre mundëson funksionimin e gjithmbarshëm të institucioneve përkatëse, përfshirë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës./FolDrejt/