Qeveria e koalicionit të djathtë në Itali nën udhëheqjen e Giorgia Melonit, ka përgatitur projekt-ligj për të ndaluar prodhimin dhe tregtimin e ushqimit sintetik, përfshirë edhe mishin artificial.
Këshilli i Ministrave që u mblodh të martën në mbrëmje në kryesimin e kryeministres Meloni, mori vendime të rëndësishme në çështje të ndryshme.
Sipas kësaj, Këshilli i Ministrave miratoi projekt-ligjin i cili ndalon prodhimin dhe në të njëjtën kohë tregtimin e ushqimit sintetik, përfshirë mishin artificial. Në mënyrë që projekt-ligji të bëhet ligj, qeveria do të kërkojë miratimin e Dhomës së Ulët dhe të Lartë të Parlamentit.
Ministri i Bujqësisë, Francesco Lollobrigida në një konferencë për media pas takimit të kabinetit tha se “Në një shoqëri ku të pasurit ushqehen mirë dhe ku të varfrit nuk ushqehen, me ushqimin sintetik ka rrezik për padrejtësi sociale. Përtej një qëndrimi shtypës, këtu bëhet fjalë për një dëshirë të fortë për të mbrojtur”.
Ministri i Shëndetësisë, Orazi Schillaci duke mbrojtur projektligjin tha se “Ky është një ligj i bazuar në masë parandaluese sepse aktualisht nuk ka një studim shkencor lidhur me efektet e ushqimeve sintetike”.
Ai theksoi se me këtë projekt-ligj mbrojnë shëndetin e qytetarëve në nivelin më të lartë dhe se mbrojnë kulturat e tyre ushqimore-bujqësore të bazuar në dietën e Mesdheut.
Në rast se projekt-ligji të cilin qeveria do ta paraqesë për miratim në Parlamentit do të bëhet ligj, parashikohet që të zbatohet gjobë deri në 60 mijë euro për ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin.
Këshilli i Ministrave ka miratuar ndër të tjera edhe ndarjen e burimit prej 4.9 miliardë euro me qëllim mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve nga faturat e larta të energjisë.
Ndërkohë, pas takimit të kabinetit kryeministrja Meloni u takua me anëtarët e Shoqatës Bujqësore të Italisë (Coldiretti) të cilët u mblodhën në afërsi të pallatit Chigi.
Anëtarët e Coldirettit të cilët duan dhe mbrojnë ndalimin e ushqimit sintetik, falënderuan kryeministren Meloni e cila tha se “Nuk mundet të mos e festojmë me fermerët tanë këtë marrëveshje e cila mbron perfeksionin e Italisë por në të njëjtën kohë edhe konsumatorin”.
Në fillim të javës partneri i madh i koalicionit të djathtë, Partia “Vëllezërit e Italisë” (FdI) paraqiti në Senat, Dhomën e Lartë të Parlamentit një projektligj, i cili parashikon dënime të ndryshme me gjobë dhe burg për ata që promovojnë në mediat sociale çrregullimet e të ushqyerit anoreksinë dhe buliminë./FolDrejt/