Izraeli dhe grupi militant Hamas në Gaza janë afër arritjes së një armëpushimi, raporton BBC.
Burime të afërta me bisedimet e armëpushimit i kanë thënë BBC-së se Izraeli iu ka thënë ndërmjetësve egjiptianë se do të pajtohen për t’i dhënë fund aksionit ushtarak.
Egjipti po ndërmjetëson në uljen e tensioneve.
Ende nuk ka pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga Izraeli. Kabineti qeveritar në Izrael po mban mbledhje për të diskutuar situatën.
Transmetuesi publik i Izraelit, Kan, tha se kabineti do të votojë për një armëpushim të njëanshëm që do të hynte në fuqi brenda 24 orësh.
Si Izraeli ashtu edhe Hamasi po përballen me presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftimeve. Të enjten më shumë se 100 sulme ajrore izraelite shënjestruan infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës. Hamasi u hakmor duke shkrepur raketa në drejtim të Izraelit.
Më herët, një zyrtar i lartë i Hamasit ka parashikuar se armëpushimi në konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit mund të ndodhë brenda ditësh.
Zyrtari i Hamasit, Moussa Abu Marzouk, i ka thënë televizionit të Libanit al-Mayadeen se ai beson që përpjekjet për arritje të armëpushimit do të rezultojnë me sukses.
“Unë pres arritje të armëpushimit brenda një dite apo dy dhe që ai armëpushim të arrihet në bazë të një marrëveshjeje të përbashkët”, ka thënë ai.
Prej nisjes së luftimeve më 10 maj, zyrtarët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se 228 persona janë vrarë.
Autoritetet izraelite kanë thënë se numri i personave të vrarë si pasojë e konfliktit ka shkuar në 12.