Zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu, ka njoftuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin e arrestimit të kameramanit të agjecisë së lajmeve Ekonomia Online.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre.
Postimi i plotë i Kryeziut:
Institucionet e rendit dhe ligjit e kanë përgjegjësi të bëjnë punën në mënyrë profesionale dhe brenda kornizave ligjore, duke respektuar të drejtat e secilit e duke mbrojtur secilin nga padrejtësitë.
Ato duhet të synojnë gjithmonë mirëkuptim për punën e punonjësve të medieve dhe t’ju mundësojnë hapësirë për raportim nga ngjarjet publike dhe me interes publik.
Pas rastit të sotëm me kameramanin e agjecisë së lajmeve EO, Ministri i Punëve të Brendshme menjëherë ka kërkuar nga Inspektoriati Policor i Kosovës të fillojë hetimet për rastin. Policia e Kosovës është ndër institucionet me besueshmërinë më të lartë tek qytetarët falë punës dhe angazhimit profesional të tyre që dëshmohet çdo ditë.
Liria e medies është vlerë themelore e demokracisë, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për krijimin e një ambienti sa më të favorshëm dhe më të sigurt për punën e tyre.