Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e ka akuzuar partinë në pushtet, se po bënë stërkapjen e bordeve të ndërmarrjeve publike, shkruan Fol Drejt.
Sipas Mustafës, i cili është edhe Koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, në kohën e Vetëvendosjes po bëhet një kapje e paparë e shtetit.
“Nëse më parë i kanë thënë kapje, tani ka stërkapje” – ka thënë ai.
“Nëse i shohim institucionet publike, kemi një kapje të plotë, por kjo bëhet pa e ndier nevojën për të dhënë llogari, të paktën. Këta po e bëjnë në masë shumë më të theksuar se çfarë ka ndodhur më parë dhe me një krenari që ne kemi njerëz. E vërteta është se nuk kanë njerëz profesionistë, por se ekziston një kapje e paparë e shtetit. Kjo është shqetësuese për këtë vend”, ka përfunduar ai.
Mustafa ka thënë se partia në pushtet, e cila ka gëzuar përkrahjen e 51% të votuesve, ka ardhur në emër të ndryshimit, ndërsa ajo që ka ndodhur është “një tradhti ndaj çdo votuesi që ka pritur ndryshim.”
Ai është shfaqur kritik edhe ndaj pretendimeve të zyrtarëve qeveritarë, rreth fuqizimit ekonomik./FolDrejt/