Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, qeverisjen njëvjeçare të Albin Kurtit.
“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës.”, ka thënë Krasniqi.
Më tej, lideri i PDK-së ka thënë se këto janë konstatime të bazuara në të dhëna reale, në kohë reale dhe në pasoja reale, që kanë shënuar fotografinë e qeverisjes nga marsi i 2021-ës deri në mars të 2022-ës.
“Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të Kryeministrit Kurti, nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”, ka shtuar ai.
Sipas tij, programi i qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh.
“Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se Kurti premtoi edhe themelimin e Fondit për Sigurime Shëndetësore, fond ky që sot nuk është në agjendë.
Kreu i PDK-së tutje ka shtuar se kjo qeveri gjatë një vit qeverisje ka pasur vetëm keqmenaxhim të pandemisë, shkurtim të buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi.
Krasniqi ka numëruar edhe dështimin e Kurtit në procesin e dialogut i cili po rrezikon që që të realizoj Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ndërkaq e ka quajtur skandaloze politikën e jashtme.
“Një vit i plotë, kur asnjë hap, as vendim, as veprim, as lobim nuk është ndërmarrë, qoftë për njohje të reja të shtetit të Kosovës, qoftë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka përmendur edhe refuzimin e gazit amerikan, si një nga vendimet më regresive që janë marrë në emër të institucioneve të Kosovës në dy dekada. /Telegrafi/