Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, bashkë me anëtarët e Kryesisë së kësaj partie, deputetët e Grupit Parlamentar dhe kryetarët e Komunave që udhëhiqen nga kjo parti, dje dhe sot kanë zhvilluar takime për të koordinuar agjendat politike dhe legjislative para sesionit vjeshtor parlamentar.
Krasniqi ka thënë se gjendja socio-ekonomike dhe politike në vend po përkeqësohet çdo ditë e më shumë.
Ai tutje ka thënë se “kriza ekonomike që po përcillet me një inflacion rekord, shtrenjtimi enorm i produkteve esenciale, grevat e sindikatave dhe ndërprerja e mësimit për fëmijët tanë, mungesa e investimeve kapitale, diskriminimi i skajshëm që Qeveria po ua bën komunave dhe shumë probleme të tjera – kërkojnë trajtim dhe veprime emergjente”.
“Si parti shtet-formuese, lidere e opozitës dhe që udhëheqë me 8 komuna, ndërsa bashkëqeveris në 9 sosh, me prioritet interesin shtetëror e qytetar, PDK do të angazhohet maksimalisht në të gjitha format dhe kapacitetet për të dhënë kontributin e vet, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka kritikuar Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti se ka braktisur qytetarët.
“Duke rrënuar arritjet e deritashme, Qeveria ka imponuar stagnimin në të gjitha fushat që ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e jetës së qytetarëve. Në Kryesi, Kuvend dhe nëpër Komuna – PDK-ja do të punojë dhe kërkojë që shteti dhe Qeveria të jenë më afër qytetarëve në periudhën e tyre më sfiduese pas luftës, ndërsa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë kemi hartuar vizionin për qeverisjen e re të vendit, për të ardhmen e qytetarëve tanë, pa dallim. Tjetër rrugë nuk ka!”, ka thënë Krasniqi./21Media