Sapo kemi hyrë në muajin nëntor dhe Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka shënuar një rekord të zi, për sa i përket zhvillimit ekonomik – thonë kritikët. Krahasuar me qeverisjet e mëhershme, sivjet është shënuar një ulje radikale e investimeve kapitale në nivel vendi.
Nga Fol Drejt
Në programin qeverisës 2021 -2025 vetëm një herë përdoret termi “Investime Kapitale”, i cili renditet te nënkapitulli: Granti i Katërt për Komuna. Më saktësisht në këtë pjesë thuhet:
“Do t’u mundësojmë komunave autonomi për investime kapitale, nëpërmjet Grantit të katërt. Do të hartojmë kornizën ligjore, ku do të vendosim kriteret profesionale, të cilat u mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm, në sektorë si turizmi rural, inovacioni, sportet, trashëgimia kulturore, arti, infrastruktura publike, sistemet e ngrohjes qendrore, furnizimi me ujë të pijshëm, mbarështimi dhe ripërtëritja e hapësirave të dëmtuara dhe trajtimi i ujërave të zeza për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët. Për të arritur këtë, do të hartojmë Ligjin për Grantin e Katërt.”
Në përgjithësi për zhvillimin ekonomik ky program parasheh ringjalljen ekonomike duke u angazhuar “në nxitje të investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese, që krijojnë vende pune të qëndrueshme, nëpërmjet mbështetjes direkte të kreditimit për bizneset prodhuese”, për çka nuk është bërë ndonjë punë shumë e madhe.
Lëvizja Vetëvendosje, përgjithësisht ka qenë e zëshme për sa u përket kritikave të adresuara ndaj qeverisjeve të kaluara duke i akuzuar ato për mungesë investimesh kapitale, për mungesë të investimeve të huaja, “shkatërrim” të ekonomisë, “gjakderdhje financiare”, korrupsion e nepotizëm. Megjithatë, sipas njohësve të zhvillimeve, ajo vet nuk po tregon rezultate në këtë drejtim, ndonëse i posedon të gjithë instrumentet në dorë.
Jo më larg se sa dje, ish kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, tha se kjo flet për një dështim total në menaxhimin e buxhetit “në kohën e krizës më të madhe ekonomike që kemi parë në dekada.” Hoti i është referuar raportit të buxhetit për periudhën janar – shtator 2022, sipas të cilit “vetëm 21% e investimeve kapitale janë realizuar (158 mil nga 764 mil të planifikuara). Kjo është 29% më pak se më 2021 dhe 24% më pak se më 2020.”
Në një mënyrë, këto konkluzione u vërtetuan edhe nga disa akterë të tjerë. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, realizimi i investimeve kapitale në gjashtë mujorin e parë të 2022 është në nivelin më të ulët të mundshëm. Shkalla kaq e ulet e investimeve nuk është shënuar as në vitin 2020 kur vendi përballej me pandeminë.
Në anën tjetër, Thesari i Kosovës, në raportin e publikuar për gjashtëmujorin e parë financiar, tregon mënyrën se si është menaxhuar buxheti i Kosovës. Po sipas këtyre të dhënave, sivjet kemi mbi 30% më pak investime kapitale.
Paaftësi? Dështim? Apo ndonjë arsye tjetër?
Ekonomisti Lulzim Beqiri është shprehur se ndjehet i befasuar me këtë mungesë investimesh kapitale nga ana e qeverisë. Për Fol Drejt ai ka thënë se kjo qasje nga ana e ekzekutivit, përveç që është e dëmshme, edhe do t’i hakmerret.
“Mungesa e investimeve kapitale në vend është tepër shqetësuese duke marr për bazë edhe punët e kontraktuara nga qeveritë e kaluara. Në Kosovë aktualisht ka stopim total të investimeve kapitale, janë shumë rrugë ndërtesa e investime tjera që janë bllokuar nga ana e ministrive përkatëse. Sipas shumë analizave, qeveria e vendit do të detyrohet të paguaj shuma të majme parash vetëm për ndërprerje të punës te shumë operatorë ekonomikë që veçse kanë kontrata me ministritë e ndryshme. Si ekonomist me befason qasja e disa ministrave se ndalja e punëve është bërë me arsyetimin se: ka krim, korrupsion, janë biznese të regjimit të vjetër” – ka thënë Beqiri, duke shtuar se megjithatë, për të gjitha këto dyshime nuk është bërë ndonjë studim i mirëfilltë, për ç’gjë ai nuk e përjashton mundësinë që ato të mos kenë lidhje të dyshimta, por për këto gjëra vendos gjykata dhe organet tjera të hetuesisë jo ministria e as qeveria.
Bazuar në të dhënat aktuale, sipas Beqirit “viti 2022 do jetë viti më i keq për investimet kapitale, duke tepruar miliona euro në llogari të qeverisë e investime te bllokuara, rrjedhimisht qytetarë që ballafaqohen me kolona të gjata sidomos në rrugën Prishtinë- Podujeve, Prishtinë- Mitrovicë e shumë rrugë tjera.”
Edhe njohësi i këtyre çështjeve Korab Blakaj e ka kritikuar këtë qasje, megjithëse e ka lënë një shteg të ngushtë për justifikim:
“Në qoftë se nuk ka ndonjë informacion në kanale zyrtare për përkeqësim të mundshëm të sigurisë, dhe se për këtë arsye Qeveria po i mban paratë ( për ti ri-alokuar sipas urgjencave të mundshme) , atëherë mungesa e investimeve kapitale dëshmon për një dështim total. Shto këtu mungesat e fitimeve që priteshin nga këto investime, si dhe inflacionin e euros, bashkë me inflacionin tonë!”
Ai ia kujtoi opinionit publik që mungesën e investimeve kapitale në vend, e kishte ngritur që në muajin gusht, si shqetësim serioz. Madje sipas Blakajt “në terma ekonomik, investimet e pjesshme sjellin rezultate të dështuara!”
Nga ana tjetër ekonomisti Beqiri tha se nuk ka as edhe një dobi nga kursimi i buxhetit “sidomos në këtë kohë krize, madje mendoj se buxheti do të dëmtohet nga paditë e ndryshme të operatorëve ekonomikë që janë bllokuar nga ana e institucioneve të vendit, pa llogarit edhe historinë e zgjatjes së ndërtimit të një rruge apo ndërtese, kjo më shumë është inati politik se sa kursim i buxhetit nga “keqbërësit”. Nëse ka dëshmi se ata operatorë ekonomikë kanë shkel ligjet, atëherë ato dëshmi të dërgohen ne prokurori dhe puna të vazhdoj.
Kam përshtypjen se mungesa e një strategjie për investime kapitale dërgon deri te bllokadat e tilla, prandaj i bëj thirrje qeverisë që t’i ndal inatet politike dhe të vazhdoj me investimet kapitale sepse ka shumë nevojë të përfundohen qindra projekte të bllokuara nga ana e tyre.”
Interpretimi i statistikave, varen nga pozicioni politik
Më të zëshmit me kritika për sa i përket zhvillimit ekonomik, përkatësisht çështjes së investimeve kapitale, kanë qenë deputetët dhe zyrtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). I pari i këtij subjekti që vjen nga fusha e ekonomisë, Lumir Abdixhiku, jo rrallë herë e ka cilësuar si të paaftë qeverinë aktuale, në kuptimin e menaxhimit të krizës ekonomike dhe politikave të zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Ky subjekt i cili po e përjeton një periudhë këndelljeje e rigjenerimi forcash politike nën hijen e opozitarizmit, që në verë ka paralajmëruar dështimin e qeverisë në këtë plan.
“Është skandal i madh që katër ministri e kanë 0 % realizimin e buxhetit për investime kapitale. Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më të ulëtat në dhjetë vitet e fundit” – pat reaguar LDK në gusht të këtij viti.
Duket që ky paralajmërim ka qenë i saktë, meqë rezultatet kanë mbetur tejet të ulëta, pavarësisht vërejtjeve nga opozita.
Në projektbuxhetin për vitin 2023, janë paraparë edhe planet financiare, përkatësisht të hyrat dhe shpenzimet, pjesë e të cilave janë edhe shpenzimet kapitale:
Megjithatë, për Qeverinë Kurti, viti 2022 është një vit i suksesshëm e madje edhe i rritjes ekonomike. Ditë më parë kur në njërën nga mbledhjet e qeverisë u miratua projektligji për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, Kryeministri Kurti tha që ai do të ketë vlerë prej 3 miliardë e 212 milionë eurosh. Sipas Kurtit, viti 2023 ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit sa u përket të hyrave dhe rritjes ekonomike. Në projektligjin për buxhetin për vitin 2023 i cili është në procedurë miratimi për diskutim në kuvend, pritjet janë dukshëm më të mëdha.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), ka shënuar rritje në tremujorin e dytë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Megjithatë për njohësit e ekonomisë ky parametër bashkë me rritjen e përgjithshme të të hyrave, ka ardhur si rrjedhojë e mungesës së shpenzimeve në investime kapitale. Qeveria gjithsesi e ka një lexim tjetër, por qytetarët kërkojnë më tepër./FolDrejt/