Në prezantimin e platformës “Super Puna”, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili rininë e cilësoi si “aset të së tashmes e potencial të së ardhmes”, shkruan Fol Drejt.
Sipas Kryeministrit Kurti, Qeveria e Kosovës do të subvencionojë 264 euro për gjashtë muaj, në mënyrë që t’iu ofrojë “të rinjve mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre”, me ç’rast do të rritet edhe më tej ekonomia e vendit.
Nga ana tjetër Ministri i Financave Hekuran Murati tha se synimi është mbështetja e 10 mijë vendeve të punës.
“Mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë. Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme, që të kemi mbështetjen e 10 mijë vendeve të punës për të rinjtë prej 18 deri më 25 vjeçare. I punësuari për gjashtë muaj do të marrë pagë të garantuar nga shteti. Çka kemi bërë për të lehtësuar këtë proces? Kemi bërë një platformë automatike që automatizon shumicën e proceseve”, u shpreh Murati.
Kosova po kalon nëpër një krizë ekonomike e cila është rënduar nga inflacioni i lartë, ku për rrjedhojë janë shtuar edhe kërkesat për viza pune në vendet perëndimore./FolDrejt/