Qeveria ka miratuar ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
Kryeministri Albin Kurti, tha se ndryshimet në këtë ligj janë në funksion të garantimit të drejtës së votës për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Ky projektligj nuk është i ri, ai është një gjë që është iniciuar edhe në Legjislaturën e gjashtë, ka vazhduar edhe në legjislaturën e shtatë ku është përkrahur miratimi i tij dhe tani ne po e miratojmë ne Qeveri për ta proceduar më tej në Kuvend. Është garantues për të drejtën e votës për të gjithë qytetarët dhe e mundëson votimin e diasporës në ambasada dhe konsullata të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ky ligj vjen në kuvend para mbajtjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe nga partitë opozitare, është cilësuar si shantazh.
“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Kundër ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme është shprehur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se ata do ta kundështojnë të njëjtin edhe gjatë senacës.
Po ashtu nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Bedri Hamza, tha se partia e tij nuk pajtohet që kjo çështje kaq e rëndësishme të trajtohet në këtë mënyrë dhe urgjencë.