Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në muajin prill do të mbahet konferenca kombëtare e vajzave/grave në fushat STEM, raporton Fol Drejt.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë ju njoftojmë se nën patronazhin e Zyrës së Kryeministrit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të organizojë konferencën kombëtare të vajzave/grave në fushat STEM.”, shkruan në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Tutje u tha se konferenca STEMinists do të jetësojë premtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për organizimin e konferencës vjetore për vajzat/gratë në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
“Kjo konferencë do të mundësojë rrjetëzimin e vajzave/grave në këto fusha, promovimin e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional.
Këta mekanizma i shtohen mbështetjes financiare për vajzat/gratë në STEM që tashmë po zbatohet si politikë e re e Qeverisë së Kosovës që dy vite.”, thuhet në vazhdim të njoftimit. /FolDrejt/